125 bimë kanabis janë gjetur të mbjella në territorin e repartit ushtarak në Zall Herr në Tiranë.
Sipas policisë, u arrestuan në flagrancë për shpërdorim të detyrës, 3 punonjës të repartit ushtarak, G. M., 52 vjeç, me detyrë Shef Seksioni i Sigurisë; R. K., 25 vjeç, me detyrë Specialist për Zbulimin dhe G. Zh., 45 vjeç, me detyrë Specialist Sigurie.
Gjithashtu u vunë nën hetim 4 të tjerë: A. J., 41 vjeç, me detyrë Specialist Infrasktrukture; P. H., 52 vjeç, me detyrë Zv/Komandant toge; I. D., 47 vjeç, me detyrë magazinier dhe P. D., 57 vjeç, me detyrë Komandant Reparti.
Këta shtetas, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, duke shpërdoruar detyrën, kanë lejuar kultivimin e bimëve narkotike, në ambientet e repartit ushtarak.
Ministri i Mbrojtjes, Niko peleshi ka reaguar për rastin, ku thekson se janë pezulluar nga detyra të gjithë personat përgjegjës.
“Bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Ushtarake, bëri të mundur evidentimin dhe më pas asgjësimin e 125 bimëve kanabis, të cilat ishin kultivuar në një zonë të pyllëzuar, në territorin e zonës ushtarake të Zall Herrit. Menjëherë janë pezulluar nga detyra të gjithë personat përgjegjës. Dënojmë me forcë çdo aktivitet të kundërligjshëm. Inkurajojmë organet ligjzbatuese të bëjnë detyrën në çdo rast!“, sipas Peleshit.
Top Channel