Pasojat e ngrohjes globale: Ndryshimet klimatike po ndihen te disa kultura bujqësore në Shqipëri

04/08/2023 20:00

Ndryshimet e klimës kanë nisur të ndihen në tryezën e ushqimit të secilit prej nesh.

Ka nisur nga buka, kafeja, vaji e një sërë produktesh që po shtrenjtohen dhe sot, si shkak nga importuesit, lakohen ndryshimet klimatike. Prekja e zinxhirit ushqimor dhe rreziqet në horizont nga ndryshimet klimatike po rriten dhe Shqipëria nuk është një vend imun.

Pikërisht sot sapo mora një informacion që në zonën e Korçës, e njohur si zonë që afektohet më pak nga ndryshimet klimatike ka reduktim të shumë prodhimeve. Mund të përmend kumbullat ku prodhimi ka qenë pothuajse zero, ndërsa prodhimi I mollëve ka rënë me 50%. Ndërkohë që vreshtat janë në situatë shumë të keqe, jo për shkak të temperaturave të larta që kemi sot, por për shkak të shirave që ranë në maj dhe qershor, që u bënë shkak për një lloj vrugu që dëmtoi prodhimin.“-shprehet eksperti për mjedisin Lavdosh Ferruni.

Studimi i Goettsch, i titulluar “Rreziku i zhdukjes së disa bimëve të egra të mesit të Amerikës” zbuloi se ndryshimet klimatike kanë ndikuar në zhdukjen e shumë bimëve të egra të kulturave popullore. Patatet, avokadot, vanilja, pambuku i egër, fasulet e egra, kungulli, speci i egër, banania, molla, kumbullat e thata dhe xhenxhefili janë vetëm disa prej tyre.

Kemi evidentuar edhe lloje fasulesh që rriten pa vaditje fare. Ndërkohë që fasulja dihet që është bimë që kërkon ujë. Por ja që paska lloje të tilla duke na çuar në konkluzionin që adoptimi është shumë I rëndësishëm. Ndaj duhet të investojmë për këtë gjë dhe të bëjmë kërkime. Të gjejmë fara të egra që në një kohë të caktuar mund të vitalizohen dhe të kthehen në një produkt ushqimor shumë të rëndësishëm.”

Një studim i mëparshëm – i publikuar në Global Citizen – zbuloi se 40% e të gjithë kulturave ushqimore po përballen me një zhdukje të afërt, për shkak të ndryshimeve të vazhdueshme të kushteve klimatike. “Ndryshimet klimatike kërcënojnë ‘të shpërthejnë’ kushte meteorologjike, parazitë dhe sëmundje, të cilat kulturat tona do t’i kenë të vështirë të përballen – lexohet në raport

Nëse diçka nuk ndryshon shpejt nga këndvështrimi klimatik, kafeja e mëngjesit, gota e verës apo çokollata që hani natën vonë mund të mos jenë më në duart tuaja për shkak të efekteve shkatërruese të ndryshimeve klimatike.

Top Channel