Sali Berisha ka mbledhur sot Këshillit Kombëtar të partisë, ku tha se PD tashmë nis një fazë të re jetike dhe të vështirë.
“Ne me këtë mbledhje, hapim siparin e një etape të re në jetën e PD-së. Dhe në fakt, ne hyjmë në njërat nga periudhat më jetike, më të vështira, të jemi realiste, por edhe më vendimtare për rolin e kësaj partie.
Po në këtë sallë muaj më parë, së bashku kemi qenë plotësisht dakord se me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka dhe se misioni ynë kryesor është rikthimi i votës së lirë për shqiptarët”-tha Berisha në nisje të mbledhjes.
Berisha përsëriti akuzat se sipas tij, zgjedhjet e 14 majit ishin farsa më e shëmtuar në historinë e pluralizmit.
“Por, kemi qenë njëkohësisht dakord që ne të angazhoheshim me të gjithë potencialin tonë në fushatën elektorale të zgjedhjeve vendore 14 maj 2023. U angazhuam publikisht se ne do mbrojmë votën, në kuptimin që ne sigurisht nuk do mbronim me armë votën, por do bënim gjithçka për të konstatuar, për të denoncuar çdo shkelje, çdo abuzim me votën e shqiptarëve.
Gjatë fushatës elektorale ju, shtabet elektorale, kandidatët, kanë bërë një punë shumë të mirë, që krahas shpalosjes së programeve, ata kanë evidentuar me vërtetësi të gjitha problematikat e mëdha të farsës që kaloi.
Pas kësaj, një komision i ngritur këtu në qendër, ka kryer një punë të pashoqe, të pashembullt në 32 vite.
Këtu kemi raportin, i cili shkon mbi 600 faqe, do publikohet në dy vëllime, i cili është nisur me pjesë e kapituj në qendrat e specializuara të zgjedhjeve të lira dhe do paraqitet dhe shpërndahet kudo në botë si dëshmi se zgjedhjet e 14 majit ishin farsa më e shëmtuar elektorale në historinë e pluralizmit shqiptar.
Ato ishin zgjedhjet e para, në të cilat për herë të parë armiku i egër i votës së lirë të shqiptarëve, shpalli publikisht si kinezëri Kodin Zgjedhor, asgjësoi çdo mbrojtje që ky kod u garanton pjesëmarrësve në garën elektorale.
Së bashku me Kodin Zgjedhor, Edi Rama shkelmoi të gjithë kriteret dhe parimet kushtetuese.
Edi Rama vendosi pabarazinë më ekstreme mes subjekteve zgjedhore në farsën elektorale. Ai i mori PD-së vulën dhe logon me një vendim antiligjor dhe ia dha patericës së tij, Brava-Alibeaj.”-tha Berisha në fjalën e tij.
Top Channel