Zelensky: Shpresoj që në vjeshtë të mbahet samiti për paqe

02/08/2023 21:06

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se shpreson që një “samit i paqes” i Ukrainës mund të mbahet gjatë vjeshtës së këtij viti, duke shtuar se bisedimet që do të mbahen gjatë kësaj në Arabinë Saudite do të jenë një hap i rëndësishëm drejt arritjes së këtij qëllimi.

Zelensky u tha diplomatëve ukrainas, sipas një fjalimi të publikuar në ueb-faqen e Presidencës të Ukrainës, se pothuajse 40 shtete do të marrin pjesë në takimin në Xhedah që do të mbahet më 5 dhe 6 gusht.

“Po punojmë që samiti të mund të mbahet gjatë vjeshtës”, tha ai.

“Vjeshta është shumë afër, por ende ka kohë për t’u përgatitur për samitin dhe për të përfshirë në të shumicën e shteteve të botës”.

Zelensky dhe ekipi i tij po punojnë me aleatët për të ndërtuar një mbështetje më të gjerë për “samitin për paqe” në të cilin do të miratoheshin parimet për të mbështetur një zgjidhje për t’i dhënë fund pushtimit të plotë të nisur nga Rusia pothuajse 18 muaj më parë.

Samiti është paraparë të bazohet në planin 10-pikësh të prezantuar nga Kievi vjeshtën e kaluar, plan që është promovuar në mënyrë aktive nga Zelensky.

Vizioni i tij për paqe kërkon rivendosjen e plotë të integritetit territorial të Ukrainës dhe tërheqjen e plotë të trupave ruse, mbrojtjen e sigurisë së ushqimit dhe energjisë, sigurinë bërthamore dhe lirimin e të gjithë të burgosurve.

Ende nuk ka pajtim se ku do të mund të mbahej ky samit.

Zyrtarët ukrainas dhe perëndimorë kanë thënë se Rusia nuk do të përfshihet në këtë samit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA