Qytetarët e huaj pritën në radhë në aeroportin e Nigerit për fluturimet e evakuimeve, pas grushtit të shtetit në të cilin u rrëzua dhe arrestua presidenti Mohamed Bazoum.
Autoritetet franceze, spanjolle dhe italiane evakuuan qindra shtetas të tyre. Ata mbërritën në Paris, me dy avionë të dërguar posaçërisht për ata.
Vendimi u mor pas shqetësimeve të qytetarëve të tyre dhe evropianëve të tjerë, pasi rrezikuan të ngujohen nga grushti i shtetit ushtarak.
Shtetet e Bashkuara ende nuk kanë njoftuar nëse do t’i evakuojnë qytetarët e tyre, por disa amerikanë janë larguar me ndihmën e shteteve evropiane.
Ministria e Mbrojtjes e Italisë njoftoi se një aeroplan ushtarak italian mbërriti në Romë me 99 udhëtarë, përfshirë 21 amerikanë dhe civilë nga vendet e tjera.
Dy aeroplanët e parë që mbërritën në Paris gjatë natës përfshinin 12 foshnje, në mesin e qindra udhëtarëve në bord, shumica e të cilëve francezë.
Trazirat në Niger vijojnë prej disa ditësh, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të presidentit.
Sekretari i përgjithshëm Antony Blinken gjatë bisedës telefonike ka theksuar se vendi i tij kundërshton çdo përpjekje për ta prishur rendin kushtetues.
Njëkohësisht nëse kryengritësit që kanë marrë kontrollin nuk ndërpresin veprimtarinë e tyre, SHBA-ja do të ndërpresë të gjitha ndihmat.
Top Channel