Gjashtë mjete lundruese janë bllokuar në Shëngjin, Spille dhe Durrës, pasi kryenin aktivitet në kundërshtim me rregullat.
Katër Jet Ski janë bllokuar pasi u konstatuan mungesa në dokumentacion, ndërsa drejtuesit u gjobitën me 10 000 lekë, njofton policia.
Ndërsa një skaf dhe një gomone u bllokuan pasi drejtuesit e tyre kishin tejkaluar afatin që parashikon ligji, për regjistrimin e pronësisë mbi mjetin lundrues. Secili nga këta shtetas u ndëshkua me masë administrative 20 000 lekë.
Dhjetëra mjete lundruese janë bllokuar këtë sezon veror nga Njësia Policore Detare, në vijën bregdetare, për të parandaluar incidentet në det dhe për të siguruar jetën e pushuesve.
Dy ditë më parë, u bllokuan 14 mjete lundruese nga Ksamili në Vlorë, kryesisht për shkelje të perimetrit të sigurisë, mungesë dokumentacioni apo transport të qytetarëve mbi kapacitetin e lejuar.
6 mjete lundruese, nga të cilat 2 Jet Ski, 3 gomone dhe 1 skaf, u bllokuan në Ksamil, Dhërmi, Jalë dhe Vlorë. Pronarët e këtyre mjeteve janë ndëshkuar secili me masën administrative 100 000 lekë të rinj, pasi janë konstatuar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e plazhistëve.
16 mjete të tjera u bllokuan në vijën bregdetare nga Shëngjini në Kavajë, ndërsa drejtuesit e tyre kanë marrë masa administrative.
Në Shëngjin, Spille dhe në Durrës, janë bllokuar 11 Jet Ski, 1 gomone dhe 4 skafe. 2 nga drejtuesit e këtyre mjeteve lundruese u ndëshkuan secili me masat 100 000 lekë të rinj dhe 10 000 lekë të rinj, për lundrim në zonë të ndaluar dhe për mungesë dokumentacioni; 3 drejtues u ndëshkuan me nga 100 000 lekë të rinj, për lundrim dhe bregëzim në zonë të ndaluar; 7 drejtues u ndëshkuan me nga 10 000 lekë të rinj, për mungesë dokumentacioni në bord; 3 drejtues u ndëshkuan me nga 20 000 lekë të rinj dhe 1 drejtues u ndëshkua me 80 000 lekë të rinj, për disa shkelje të kryera njëkohësisht.
Top Channel