Kryeministri Edi Rama së bashku me homologun maqedonas, Dimitar Kovacevski, janë ndalur ditën e sotme në Qafë Thanë për prezantimin e programit të ri kufitar me Maqedoninë e Veriut “one stop shop”, pra “Një ndalesë – Një kontroll”.
Programi parashikon “zhbërjen” të kufirit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të lehtësuar qarkullimin e njerëzve dhe mallrave me procedura shumë të thjeshtuara. Gjatë fjalës së mbajtur, Rama theksoi se nisma do të heq ato pengesat e bezdisshme gjatë lëvizjes së turistëve, duke na çuar një hap më pranë unifikimit të doganave tona.
Ta bëjmë hapësirën mes nesh një hapësirë evropiane, pa qenë nevoja për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, theksoi kryeministri ndërsa rikujtoi minishengenin ballkanik.
“Shqipëria këtë vit po përjeton një impakt të jashtëzakonshëm të transformimit të imazhit të saj dhe si asnjë vit më parë fluksi i turistëve, por dhe numri i investitorëve të mëdhenj ndërkombëtare të interesuar për të investuar në industrinë e turizmit në Shqipëri së bashku me shqiptarët e diasporës apo dhe ata që banojnë në Shqipëri është realisht tejet inkurajues, por natyrisht që zhvillimi i mëtejshëm dhe rritja e dëshiruar e industrisë së turizmit, ashtu sikundër rritja e dëshiruar e sektorëve të tjerë të prodhimit kërkojnë një qasje komplekse dhe pjesë e patjetërsueshme e kësaj qasjeje është pikërisht transformimi në funksion të lehtësimit të kalimit të kufijve.
Me kryeministrin kemi folur vijimësisht për këtë dhe kemi parë në vetë të parë sesi nga e thëna në të bërë është vërtetë në mes një det i tërë sepse ka shumë pengesa që vijnë nga inercia e së shkuarës dhe nga ana tjetër nga paragjykimi për pikërisht liberalizimin e lëvizjes. Në fakt, liberalizimi i lëvizjes sjell, jo vetëm më shumë lehtësi, por sjell dhe më shumë transparencë. Sjell dhe më pak rrezik për praktika të këqija në trajtimin e qytetarëve dhe në trajtimin e subjekteve tregtare dhe patjetër që sjell dhe më shumë rritje të përgjegjësisë për të gjitha agjencitë ligj zbatuese në pikat kufitare.
Vetëm gjatë gjysmës së parë të këtij viti dhe vetëm në këtë pikë kufitare kanë lëvizur mbi 770 mijë shtetas dhe mbi 352 mijë automjete.
Është një fluks shumë i konsiderueshëm edhe pse kjo nuk është pika më intensive e kalimit dhe një procedurë e thjeshtuar vetëm me një ndalesë, ku në të njëjtin vend janë të dy përfaqësuesit e Agjencive tona ligj zbatuese është ajo që nevojitet. por nga ana tjetër unë dua të shpresoj që të dyja Ministritë e Brendshme do të kalojnë në një tjetër nivel në këtë periudhë piku të sezonit, por pastaj dhe në të gjitha sezonet e tjera verore për të bërë kalimin pa kontroll apo më saktë me kontroll të rastësishëm të makinave të targuara Republika e Shqipërisë dhe Republika e Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që edhe më shumë të lehtësohet qarkullimi, por mbi të gjitha ata që vijnë në Shqipëri apo shkojnë në anën tjetër për turizëm, të mos e kenë rrugës këtë lloj ndalese që prodhon stres, humbje kohe dhe mërzi.
Pa diskutim që ky është një hap i rëndësishëm, por qëllimi final është unifikimi i doganave që natyrisht do të vijë me integrimin e plotë të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE, por që ne nuk kemi pse presim Bashkimin Europian për ta avancuar si ide. Ka pasur shumë skeptikë dhe përqeshës kur ne filluam këtë proces me të ashtuquajturin “mini-shengen”, pastaj me Ballkanin e Hapur dhe në ndërkohë rezultatet flasin çdo ditë e më mirë për arsyen e thjeshtë të një procesi si ky. Ta bëjmë hapësirën mes nesh një hapësirë ku ndërveprohet dhe bashkëjetohet si në BE pa pritur që të integrohemi tërësisht në Bashkimin Europian”– tha Rama në ceremoninë e inaugurimit.
Nga ana tjetër, kryeministri maqedonas tha se “Rezultati i këtij bashkëpunimi është fakti se sot ne jemi këtu bashkë në kalimin kufitar Qafë-Thanë ku shënojmë fillimin e ONE STOP SHOP. Sot mundësojmë qarkullim më të shpejtë të qytetarëve tanë mes dy vendeve dhe qarkullim më të shpejtë të kompanive, të cilët transportojnë produkte në kalimin kufitar më të madh mes dy shteteve.
Mundësimi i qarkullimit të njerëzve dhe për kapitalet njëkohësisht i rrit lidhjet nëpërmjet njerëzve, komunikimet mes njerëzve dhe rrit shoqërimin mes njerëzve, mes dy shteteve, diçka që gjysmë shekulli mungonte mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së asaj kohe por kjo tashmë është diçka e kaluar. Sot ne jemi shembull se si duhet të sillen dy vende fqinje. Sot jemi këtu bashkë me Shqipërinë që të hapim ONE STOP SHOP të shërbimeve policore dhe doganore. Ajo që prej nesër vijon është rritja e kapaciteteve të nëpunësve që punojnë këtu por edhe miratimi i metodave të reja të punës që do ta ulin pritjen.”
Top Channel