Ashtu siç është tradita e çdo kryeministri grek menjëherë pas fitores së tij në zgjedhjet parlamentare, edhe Kyriakos Mitsotakis ka kryer vizitën e tij të parë zyrtare në Qipro dhe në deklaratat e përbashkëta me presidentin Hristodhulidhis i është referuar përsëri marrëdhënieve me Turqinë.

“Përmirësimi i dukshëm në marrëdhëniet greko-turke dhe euro-turke është një mundësi që duhet ta përqafojmë, me kusht, dhe dua të nënvizoj këto dy fjalë të cilave u referua presidenti – që të jetë gradual dhe jo i pakushtëzuar. Këto janë dy fjalët që do të veprojnë si udhërrëfyes në këtë përpjekje të re, pasi mund të jemi optimistë, por njëkohësisht nuk jemi naivë.”- tha Mitsotakis.

Kjo deklaratë nga Athina zyrtare vjen pas takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian më 20 korrik që shprehën njëzëri dëshirën se ishin gati të riangazhoheshin me Turqinë, por nuk i ofronin Ankarasë një rifillim të qartë të bisedimeve të anëtarësimit, ndaj dhe Mitsotakis ka theksuar se çdo përmirësim në marrëdhëniet euro-turke nuk mund të përjashtojë çështjen e Qipros.

“Presidenti Erdogan e pranon dhe unë ia kam përcjellë sërish mesazhin se një përmirësim i dukshëm në marrëdhëniet euro-turke nuk mund të përjashtojë çështjen e Qipros.”-shtoi Mitsotakis.

Nuk mund të tolerohet prania e një ushtrie pushtuese në një shtet anëtar të BE-së dhe as sistemi i vjetëruar i garancive të së drejtës së palëve të treta për të ndërhyrë në punët e tij ka thënë Mitsotakis duke nënvizuar se Athina dhe Nikosia, do të vazhdojnë të jenë për këtë çështje, në koordinim absolut me BE-në dhe Kombet e Bashkuara.

Turqia ka qenë kandidate për anëtarësim në BE për më shumë se dy dekada, por bisedimet ngrinë në vitin 2016 pas shqetësimeve nga Brukseli për problemet me drejtësinë dhe të drejtat e njeriut në vend,ashtu si edhe nga çështja e ndarjes së Qipros,një burim fërkimi midis Greqisë dhe Turqisë, që gjithnjë ka qenë një pengesë për këtë anëtarësim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA