Dita e parë e Bashës si kryetar/ Pas fitores në zgjedhje thërret kuvendin kombëtar më 2 shtator

31/07/2023 19:50

Kjo nuk ishte një ëndërr për Lulzim Bashën. Pavarësisht mosdakordësive, zgjedhjet e 29 korrikut e shpallën kryetar.

Lulzim Basha nisi mandatin e tij të katërt me 16 mijë votat e demokratëve. Java e parë e punës nuk e gjen në seli. Për të është duke u përgatitur një zyrë e përkohshme, kur shtëpinë e demokratëve e ka zënë grupi i rithemelimit. Këtë të hënë ai është larguar jashtë Tiranës, në takime me mbështetësit në Durrës dhe Shkodër.

Ristrukturimi i partisë synohet me rikthimin e Bashës, por ky proces nuk njihet nga grupimi i tretë i drejtuar nga sekretari i përgjithshëm Gazment Bardhi, që me kompetencën e vulës e ka çuar çështjen në gjykatë.

Deri në një vendim ligjor, Lulzim Basha po vazhdon karrierën pa u lëkundur dhe ka thirrur më 2 shtator Kuvendin Kombëtar, organin më të lartë vendimmarrës të Partisë Demokratike. Me të besuarit e tij, pritet që ai të miratojë ndryshime në statut. Pas premtimit për t’ia dalë në betejën e radhës për të luftuar korrupsionin e për të rrëzuar qeverinë, Basha ka ndërmarr aktin e parë me stafin e PD.

Ai ka firmosur emërimin e Mirela Karabinës si zëdhënësen e re të një copëze të Partisë Demokratike. Karabina falenderon për postin ndër të tjera edhe Enkelejd Alibeajn,i cili nuk ka fshehur mbështetjen për rizgjedhjen e Bashës në krye të demokratëve.

“Në rrugëtimin politik, me dëshirë dhe vullnet të plotë kam dhënë dhe do të jap kontributin tim për një Parti Demokratike që i shërben interesave të qytetarëve, për një Shqipëri të mirë e të bukur për veten time, familjen dhe gjithë shoqërinë”, shkroi në Facebook ajo.

Jo vetëm përplasjeve të brendshme, por edhe interesit të mediave kryetari ka zgjedhur të mos i përgjigjet. Në një parti të ndarë në tresh, Basha po mbledh ushtrinë e tij në kohën e pushimeve, për të qenë më të fortë në shtator.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA