Në kërkim pas vrasjes së gruas, gjendet i vdekur Gjergj Mullalli! Policia: Hapi zjarr ndaj efektivëve dhe më pas u vetëvra

30/07/2023 10:46

Gjendet i vdekur Gjergj Mullalli.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se Mullalli është gjetur i vetëvrarë në shtëpinë e kushëririt të tij, një shtetasi me inicialet F.M..

Përmes një njoftimi paraprak, Policia e Shtetit sqaron se “pas kërkimeve të pandërprera, shërbimet e Policisë të DVP Korçë dhe Komisariatit të Policisë Maliq kanë bërë të mundur lokalizimin e 55-vjeçarit në një banesë të braktisur, në fshatin Zëmblak”.

Sapo ka konstatuar se ka qenë i rrethuar nga forcat policore, Mullalli ka hapur disa herë zjarr ndaj punonjësve të Policisë dhe pas thirrjeve të njëpasnjëshme për t’u dorëzuar, ai ka qëlluar ndaj vetes duke u vetëvrarë.

Krimi makabër tronditi mbrëmjen e djeshme Maliqin e Korçës. Gjergji Mullalli pas përndjekjes dhe dhunës konstante të ushtruar ndaj bashkëshortes Luiza Mullalli, pavarësisht se ajo posedonte një urdhër mbrojtje, i ka marrë jetën 46-vjeçares dhe trupin e ka hedhur në gropën e ujërave të zeza pranë banesës së saj.

Çifti, në proces divorci, kishte tre fëmijë. Gruaja shkonte shpesh te dy vajzat në Greqi, ndërsa autori jetonte me djalin në Zëmblak në banesën e prindërve të tij. Mullalli punonte në ndërtim dhe sipas familjarëve të viktimës konsumonte shpesh alkool. Nga ana tjetër, Luiza punonte në rrobaqepësi në Korçë. E tronditur, nëna e 46-vjeçares akuzoi mes lotësh motrën e autorit të krimit, e cila aktualisht jeton në Amerikë, si personin përgjegjës për vrasjen.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të kryer veprime të mëtejshme për ngjarjen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA