Kushtetuesja do të vendosë për hartën/ Pas shkrirjes së gjykatave, do të shqyrtohet padia e avokatëve për gjyqësorin

30/07/2023 19:34

Gjykata kushtetuese ka thirrur në seancë publike Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Ministrave paditur nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë që kundërshton si antikushtetues hartën e re gjyqësore.

Por ky proces, hapet tre muaj mbasi u zbatua reduktimi i ndjeshëm i gjykatave, ndodhur nga janari deri në 1 korrik 2023.

Për komunitetin e avokatëve që vitin e kaluar protestuan dhe bojkotuan gjyqet në rang vendi, shkrirja e gjykatave të apelit duke lënë vetëm në Tiranë dhe eliminimi i gjykatave administrative në dy, një në kryeqytet dhe një në Lushnjë, ka shkelur parimet kushtetuese dhe interesin e qytetarëve.

E njëjta gjë vërehet në padi edhe për reduktimin e 22 gjykatave të shkallës së parë në 13 të tilla. Por ky proces që starton në tetor, e gjen qytetarin jo vetëm larg gjykatave, por edhe përballë stokut. Me “back log” në rritje në krye të listës qëndrojnë gjykatat e shkallës së parë, stoku i të cilave ka shkuar 40 mijë e 866. Pas tyre, me një problem të pazgjidhur “back log-u” vazhdon gjykata e lartë me 31 mijë dosje.

Me një parashikim hipotetik të KLGJ nëse do të ishin në detyrë 19 gjyqtarë, e nëse ata do të evadonin 864 çështje secili, stoku aktual do të përfundonte në  vitin 2026. Por kjo mbetet një ëndërr e vështirë për t’u besuar.

Kriza në gjykatën e apelit të juridiksionit të përgjithshëm që është një në të gjithë Shqipërinë ka rritur stokun në 28 mijë çështje, kurse në apelin administrativ presin gjykimin 21.116 çështje.

Me një mesatare prej 5 vitesh në pritje, në Gjykatën e Apelit Administrative i kanë sytë nga drejtësia edhe ata qytetarë që kanë hapur padi pensioni dhe padi marrëdhënie punë. Përkundër arsyeve pse u hap kjo gjykatë, për të dhënë vendime brenda 90 ditësh, qytetarëve u janë shkelur të gjitha afatet. Kjo gjykatë vuan mungesën e gjyqtarëve e njëherazi por përballet me një fluks padish për përshpejtim gjykimi për shkaqe shëndetësore.

Në Shqipëri krahasuar me normat europiane po gjykohet me një numër të pamjaftueshëm gjyqtarësh, me probleme të trashëguara e të tjera të hapura rishtazi sikurse janë edhe harta gjyqësore, e cila ndonëse ka nisur nga implementimi i mungojnë ambientet për 5 gjykata. Për to, qeveria e gjyqësorit i kërkon ekzekutivit të hapë portofolin dhe të investojë në ambiente ku duhet të jepet drejtësia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA