Donald Trump vijon fushatën e tij pa u shqetësuar aspak nga akuzat të cilat po shtohen më shumë me kalimin e kohëve, ku së fundmi listës iu shtua edhe fshirja e provave të nevojshme për hetimin.
Në mbledhjen e fondeve të Darkës së Lincoln të partisë ai premtoi se problemet e tij ligjore nuk do të ndikojnë në kandidimin për zgjedhjet presidenciale, por nuk munguan as ironitë për Joe Biden.
“Ne do të shtypim Joe Biden të shtrembër, presidentin më të shtrembër në historinë e vendit tonë deri tani dhe gjithashtu jashtëzakonisht të paaftë. Nuk e di se çfarë po bën. Ai po shkatërron vendin tonë. Ne do t’i fitojmë zgjedhjet e mëdha dhe do ta bëjmë Amerikën të madhe përsëri”, deklaroi Trump.
Ish-presidenti i SHBA-së i akuzuar dy herë u padit për herë të parë në rastin e dokumenteve të klasifikuara muajin e kaluar, teksa dyshohet se ka tentuar të mbajë informacione sekrete bërthamore dhe të mbrojtjes pas largimit nga Shtëpia e Bardhë.
Në një zhvillim të bërë së fundmi këshilltari i posaçëm Jack Smith pretendoi se Trump, i cili është planifikuar të dalë në gjyq në kulmin e fushatës elektorale vitin e ardhshëm, i kërkoi një punonjësi në pronën e tij në plazh në Florida të fshinte pamjet e kamerave të sigurisë.
Ish-lideri amerikan vijon t’i mohojë të gjitha akuzat, për të cilat akuzon rivalin. Trump ka deklaruar se Biden së bashku me ekipin e tij kërkojnë vetëm të pengojnë kandidaturën e tij për të marrë postin presidencial zgjedhjet e ardhshme.
Top Channel