“Shqipëria jo mikpritëse për biznes”/ Edona Bilali: Amerikanët trefishuan investimet në vend 4 vitet e fundit

29/07/2023 10:13

Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Edona Bilali, ka dalë kundër drejtorit të AmCham Eno Jaços, i cili ka deklaruar se në vendin tonë është problem klima jo miqësore e biznesit. 

Me anë të një postimi në Facebook, Bilali është shprehur se kjo deklaratë e tij, bie në kundërshtim me faktet, pasi investimet amerikane në vend janë trefishuar gjatë katër viteve të fundit.

Ministrja shprehet se nuk ka hasur asnjë rast pakënaqësie nga investimet e huaja në Shqipëri, por përkundrazi, ka marrë reagime pozitive për mikpritjen në Shqipëri.

Postimi i Edona Bilalit: 

“Drejtuesi i AmCham para 4 ditësh (vetëm pasi u publikuan statistika me shifra) pohon dhe shprehet i kënaqur që janë 3 fishuar investimet amerikane në vend. 3 ditë më vonë, pas publikimit të raportit të Departamentit të Tregtisë (i parifreskuar prej 2 vjetësh), rimarrë nga DASH me disa ndryshime, shprehet që problem është klima jo miqësore e biznesit. Pyetja që të vjen menjëherë në mendje ështëe, si e shpjegon drejtuesi shqiptar i AmCham (normalisht ai duhet të kontribuojë në leximin objektiv të aktualitetit në terren) faktin se amerikanët investuan 3 herë më shumë në Shqipëri për 4 vitet e fundit, ndërkohë që një seri investimesh të tjera të mëdha amerikane janë në proces pergatitjeje?!

Askush nuk i mohon këto probleme, po qyshse jam në këtë detyre as e kam hasur dhe as kam dëgjuar për ndonjë kompani amerikane apo europiane, që e ka penguar klima e biznesit në Shqipëri të investojë! Madje përkundrazi, kam pasur vetëm reagime shumë pozitive prej tyre për mikpritjen dhe trajtimin në Shqipëri. Njëjtë kam dëgjuar edhe nga kolegët e mi!

Sa gjynah kur bashkëqytetarë tanët, aq më tepër në funksione të tilla ndikojnë për keq, pa asnjë fakt apo shifër, në ushqimin e perceptimeve të deformuara prej vitesh qoftë tek opinioni publik, qofte tek miqtë dhe partnerët e huaj!

Por shyqyr në fund mbetet si gjithnjë puna me faktet e punës, për të cilat flet sot edhe Shqipëria turistike, me të dhënat e saj mbresëlënëse!”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA