Kur bëjmë foto, kuptojmë se dukemi ndryshe nga sa e shohim veten në pasqyrë. Ndërsa në pasqyrë, e shohim veten ndryshe nga sa na shohin ne të tjerët.
Ka disa arsye përse perceptimi për imazhin ndryshon.
Pasqyra nuk jep pasqyrimin tonë të vërtetë
Kur shihni veten në pasqyrë, duhet të dini se dukeni ndryshe nga çfarë ju shohin të tjerët, pasi reflektimi ynë në pasqyrë përmbyset nga truri.
Ju ngrini dorën e majtë dhe personi në pasqyrë ngre dorën e djathtë, pra e majta jonë është në të djathtë të pasqyrës. Që nga mënyra si i ndajmë flokët te buzëqeshja, fytyra jonë nuk është simetrike. Imazhi që shohim në pasqyrë, nuk është ai që ne i tregojmë botës.
Filtrat dhe këndi që zgjedhim për të bërë foton, e nxjerrin pamjen ndryshe
Fotografët me përvojë thonë se kamera shpesh shtrembëron pamjen tonë dhe mund ta ndryshojë atë për mirë ose për keq (sikurse ndodh kur bëjmë selfie). Çuditërisht, truri ynë funksionon si Photoshop. Sytë tanë (me ndihmën e trurit tonë) përshtaten automatikisht me errësirën dhe shkëlqimin.
Kamerat nuk i arrijnë të gjitha, sepse ato mund të rregullohen për t’u fokusuar në pikat kryesore ose hijet, por kurrë të dyja menjëherë. Kjo është arsyeja pse një aparat fotografik nuk do të jetë kurrë në gjendje të “shohë” pamjen tuaj të vërtetë dhe ta pasqyrojë atë ashtu siç bëjnë sytë e njerëzve të tjerë.
Ndikon edhe mënyra si të tjerët shohin veten
Një studim i kohëve të fundit ka zbuluar se njerëzit jo tërheqës e mbivlerësojnë imazhin e tyre kur krahasohen me të huajt. Ana tjetër e medaljes është se njerëzit tërheqës zakonisht nuk janë të vetëdijshëm për sharmin e tyre fizik dhe e nënvlerësojnë atë.
Një fakt tjetër është se njerëzit tërheqës e krahasojnë veten me njerëz të tjerë tërheqës dhe njerëzit jo tërheqës e marrin vetëvlerësimin e tyre nga njerëzit jo tërheqës. Pra, vizioni ynë për veten mund të ndikohet nga njerëzit përreth nesh, për shkak të mënyrës se si ne e krahasojmë pamjen tonë me ta.
E krahasoni veten në mënyrë të padrejtë
Të bëjmë krahasime është diçka që na lind natyrshëm. Por, teksa në disa raste mund të na motivojë, shumë herë të tjera na pengon. Krahasimi i vetes do të thotë që po luftoni me pasiguri, të cilat mund t’ju japin një pamje të ndryshme të pamjes ose jetës suaj.
Ankthi synon pasiguritë dhe ju do të mendoni më shumë për papërsosmëritë tuaja. Për shembull, nëse keni frikë se po ju shfaqen rrudha, me siguri do t’i vini re kur të dilni para pasqyrës.
Ndryshimet në stilin e jetesës mund të ndikojnë në mënyrën se si e shihni veten
Ndryshimet e humorit, mungesa e gjumit, çekuilibri i hormoneve, dieta e dobët dhe ndryshimet të tjera në fizikun tuaj, ndikojnë në perceptimin që keni për veten apo që krijojnë të tjerët për ju.
Për shembull, kur jeni të lodhur, ju nuk buzëqeshni, por kjo nuk do të thotë se jeni të mërzitur. Ndërsa një i huaj do të mendojë se diçka ju shqetëson, duke krijuar një perceptim tjetër.
Nëse jeni kurioz se si dukeni për njerëzit e tjerë dhe dëshironi ta shihni veten si të tjerët, ju duhet një pasqyrë e dytë për të zhbërë efektin e pasqyrës së parë dhe për të ndryshuar drejtimet përsëri. Njerëzit që e kanë provuar, kanë konfirmuar se ndryshimi është rrënjësor.
Top Channel