Në këto ditë të nxehta vere, krahas kujdesit të veçantë për bimësinë, Bashkia e Tiranës po i kushton një vëmendje të madhe edhe pastrimit të liqenit nga çdo papastërti në sipërfaqe e brendësinë e tij.
Kryebashkiaku Veliaj ka publikuar pamjet teksa shihet se si punonjësit kanë nisur punën me anë të një makinerie të posaçme, për heqjen e çdo papastërtie në brendësi të liqenit, përfshi edhe barërat.
“Ka nisur aksioni për pastrimin e Liqenit të Tiranës nga papastërtitë me makineri të specializuar! Mirëmbajtja e liqenit ka rëndësi po aq sa edhe mbjellja e pemëve përreth”, shkruan Veliaj.
Organizata Ndërkombëtare ‘White Flag’ ka certifikuar Liqenin Artificial të Tiranës si një liqen të pastër, duke mundësuar zhvillimin e lojërave të ndryshme të ujit.
Parku i Madh i Liqenit Artificial përbën masivin më të madh të gjelbërimit në qytetin e Tiranës. Tetë vitet e fundit parku është transformuar tërësisht, duke u rivitalizuar dhe duke u kthyer në një mushkëri të shëndetshme për kryeqytetin.
Top Channel