Në seancën e parlamentit të Malit të Zi, të enjten u verifikuan mandatet e 81 deputetëve të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 11 qershorit, por nuk u zgjodh kryetari i ri.
Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Nikola Mugosha paraqiti në parlament raportin e rezultateve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe lexoi emrat e deputetëve të përbërjes së re të parlamentit të Malit të Zi.
Megjithatë, zgjedhja e kryetarit u shty për një seancë të re të parlamentit pasi në shërbimin e parlamentit nuk u dorëzua asnjë propozim për kandidatin e mundshëm për kryetar, raporton Zëri i Amerikës.
Kjo është pasojë e shpalljes me vonesë të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve për çka Lëvizja “Evropa Tani” dhe kandidati i mundshëm për kryeministër i Malit të Zi, Milojko Spajiç, nisi zyrtarisht të enjten më 20 korrik bisedimet për qeverinë e re, të cilat do vazhdojnë edhe ditëve në vijim.
Kryesia e Lëvizjes Europa Tani ka miratuar 10 parime për formimin e Qeverisë së 44-të të Malit të Zi, të cilat u janë dërguar partnerëve të mundshëm në qeverinë e ardhshme, përveç Partisë Demokratike Socialiste të ish presidentit Milo Gjukanoviq dhe Lëvizjes URA të kryeministrit në largim Dritan Abazoviç, të cilët Lëvizja Europa Tani nuk dëshiron që të jenë pjesë e qeverisë së re.
Presidenti Jakov Milatoviç, ka thënë se të hënën në Cetinë do të fillojë konsultimet me përfaqësuesit e partive politike për kandidatin për kryeministër të ri të Malit të Zi.
“Kam 30 ditë për konsultim. Mendoj se do ta përfundoj zyrtarisht për rreth pesëmbëdhjetë ditë. Ka kohë të mjaftueshme për të arritur një marrëveshje”, u tha Milatoviç gazetarëve pas mbledhjes së parlamentit të Malit të Zi.
Bashkimi Europian u ka bërë thirrje aktorëve politikë në Mal të Zi që të formojnë sa më shpejt parlamentin dhe qeverinë e re, ku siç thanë ata, “do të jenë në gjendje të nxisin reformat në lidhje me anëtarësimin në BE, sa më shpejt të jetë e mundur”.
Më 11 qershor në Mal të Zi u mbajtën zgjedhjet parlamentare, të cilat u vlerësuan si të lira dhe pa ndonjë parregullsi të theksuar nga vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë.
Lëvizja Europa Tani, e formuar vitin e kaluar, fitoi numrin më të madh të votave, 24 vende në parlament e ndjekur nga koalicioni i udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve, të ish-presidentit malazez Milo Gjukanoviç, partia e të cilit mbajti pushtetin mbi 30 vjet në Malin e Zi.
Mali i Zi konsiderohej si lider i rajonit në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe ka hapur të gjithë kapitujt në negociatat për anëtarësim. Megjithatë si pasojë e krizës politike dhe institucionale, nuk ka pasur asnjë konferencë ndërqeveritare që nga dhjetori 2021 për shkak të progresit të pamjaftueshëm në reformat e nevojshme për procesin e anëtarësimit.
Sipas parashikimeve të Lëvizjes Europa Tani, qeveria e re duhet të ketë 22 ministri dhe departamente dhe katër nënkryetarë.
Top Channel