UNESCO, agjencia e OKB-së për arsimin, shkencën dhe kulturën, kërkon ndalimin e përdorimit të telefonave në shkolla, me qëllim përmirësimin e cilësisë së mësimit dhe mbrojtjen e tyre nga bullizmi kibernetik.
Sipas raportit, përdorimi i tepruar i telefonit celular është shkaktar i një performance më të dobët arsimore te fëmijët.
Në vendin tonë, një urdhër i Ministrisë së Arsimit që ka hyrë në fuqi në vitin shkollor 2018 – 2019, ndalon nxënësit që të mbajnë telefona gjatë orës së mësimit. Rregulli është i njëjtë edhe për mësuesit, të cilët nuk duhet të përdorin celularin gjatë orarit mësimor.
Por, ekspertët e arsimit arsyetojnë se vetëm një rregull i tillë nuk mjafton. Duke shpjeguar trekëndëshin shkollë – familje – fëmijëve, ekspertja Irida Sina thotë se duhet ndërgjegjësim i palëve.
Ekskluzivisht për Top Channel, Sina thotë se ndalimi i celularit nuk mjafton, pasi në radhë të parë fëmija është e domosdoshme që fëmija të kuptojë se përse nuk duhet ta përdorë celularin në shkollë.
“Jam shumë dakord që të mos lejohen telefonat në shkollë sepse kjo ndikon te fëmijët, në përqendrimin e tyre, në mungesën e kohës cilësore për të folur me njëri-tjetrin, por nuk do të isha aspak dakord të ndalohet telefoni në shkollë si objekt. Si një e drejtë që të ketë objektin me vete që në një rast urgjence të ketë mundësi të kontaktojë prindin apo të kërkojë ndihmë.
Së dyti, sa i përket OKB-së, nisma është me vend, por a kemi bërë ne mjaftueshëm ndërgjegjësim të fëmijëve se përse është i dëmshëm celulari? Pse realisht nuk duhet ta përdorim telefonin, pse nuk duhet të kalojmë shumë kohë në telefon? Ne shohim që janë prindërit që nxisin fëmijët të përdorim telefonat, nuk është gjithmonë fëmija ai që e kërkon. Nëse do t’i japim një fëmijë një apo dy vjeç një telefon në dorë që ai të shohë filma, kukulla, muzikë, ne e nxisim atë të jetë një përdorues i rregullt në të ardhmen celularit”.
Ndërgjegjësimi duhet të fillojë që në moshë të hershme me prindin, shpjegon ekspertja e arsimit.
“Ata duhet ta kuptojnë çfarë dëmesh sjell në trurin e fëmijës telefoni. Studimet kanë treguar që telefoni vret neuronet, të cilat janë në zhvillim te fëmijët e vegjël, bëhet shkak i hiperdinamizmit, i mungesës së përqendrimit. Përdorimi i gjatë i telefonit ndikon ndjeshëm te gjumi i fëmijëve.
Vendi ynë ka më shumë nevojë për politika ndërgjegjësimi, kush janë dëmet që na vijnë nga telefoni, se sa thjesht një politikë e ndalimit të telefonit në shkollë. E njëjta gjë vlen edhe për fëmijët. Nëse ata kuptojnë se përse nuk duhet ta marrin telefonin dhe cilat janë efektet negative që sjell në shëndetin e tyre, asnjë nismë nuk do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e fëmijës”.
Neuropediatrët shprehen qartë që fëmijët nuk duhet të jenë të ekspozuar ndaj ekranit nga mosha 0-4 vjeç, përfshirë këtu edhe televizorin.
Ekspertët ngrenë alarmin se në shkollat e vendit po vjen në rritje numri i fëmijëve që kanë probleme me përqendrimin apo janë të përgjumur në klasë, pasi qëndrojnë për shumë orë para ekranit dhe shkojnë në shtrat pas orës 22:00.
Sara Hila
Top Channel