Lexuesve dhe miqve të librit u rikthehet një prej hapësirave më interesante të librit në Tiranë, deri dje një depo e lënë në harresë të plotë.
Qendra më e re e librit “Sotir Kolea”, dikur e njohur si biblioteka e vjetër e kryeqytetit, e cila pas dëmtimeve nga tërmeti, sot i rikthehet lexuesit përmes shërbimit të librave të rrallë, shumë syresh pjesë e bibliotekave personale të konfiskuara gjatë komunizmit.
Tashmë, e gjithë kjo pasuri vihet në dispozicion të publikut në një ndërtesë tërësisht të rikonstruktuar, falë investimit të Qeverisë Shqiptare dhe mbështetjes europiane nga Programi “EU4Culture”.
Kryeministri Edi Rama vizitoi sot Qendrën e re, i shoqëruar nga Ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare Piro Misha.
Duke shpjeguar projektin e zbatuar, Ministrja Margatiti u shpreh se Qendra “Sotir Kolea”, jo vetëm i sjell publikut një pjesë të vyer të trashëgimisë sonë kulturore të së shkuarës, por do të shërbejë dhe si një qendër kulturore moderne multifunksionale, në shërbim të studiuesve, e para së gjithash të rinisë.
“Kemi përcaktuar këtë qendër, që do të jetë qendra e re “Sotir Kolea”. I kemi vendosur dhe emër hapësirës që ja kemi rikthyer qytetit. Kjo është godina e prekur nga tërmeti. Kjo do jetë një hapësirë për të gjithë studiuesit e huaj, për të gjithë studentët shqiptarë dhe mbi të gjitha për vetë ne sepse vetë Bilioteka këtu ka zbuluar vende të rralla, të pazbuluara më parë. Ka qenë tërmeti ai që na bëri që të fillonim të merreshim, në atë periudhën e gjatë të mbylljes stafi i bibliotekës është dedikuar totalisht për risistemimin e librave, ne punuam paralelisht me fondin e buxhetit të shtetit për projektin e restaurimit ndërkohë që delegacioni europian na ka ndihmuar për gjithë pjesën e pajisjeve.
Kjo vjen tani si një hapësirë e librave të rrallë, e librave të rezervuar, e librave të pazbuluar por dhe një hapësirë për të rinjtë, me akses digjital, me gjithë pjesën e pajisjeve për digjitalizim. Pra, një hapësirë që ne të gjithë në Tiranë e kishim harruar që ekzistonte dhe e kemi kthyer në funksion të plotë. Ne kemi ende një numër akoma dhe më të madh librash që ishin të depozituar këtu brenda. I kemi sistemuar në mënyrë të re libra të vjetër, por dhe libra të rinj. Kjo është mënyra më e re moderne e qasjes ndaj librit dhe jemi munduar të rikuperojmë sa më shumë hapësirë prandaj në pjesën e sipërme në tavolinë do keni mundësi për vendosjen e kompjuterëve.” – tregoi ajo.
Qendra “Sotir Kolea” mban emrin e një personaliteti të kulturës shqiptare, i cili si drejtues i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë gjatë periudhës 1928-1937, dha një kontribut të veçantë në hedhjen e bazave të bibliotekonomisë në Shqipëri, si dhe për pasurimin e koleksioneve bibliotekare me materiale albanologjike.
Top Channel