Një asteroid do na mësojë më shumë për nisjen e jetës në Tokë/ NASA po studion mostrat

26/07/2023 12:07

Një mostër nga asteroidi Bennu, i cili mund të jetë çelësi për të kuptuar formimin e sistemit diellor dhe planetit tonë, do të analizohet në Qendrën Hapësinore Johnson të NASA-s në Hjuston pasi të arrijë në Tokë gjatë fundit të muajit shtator.

Ngarkesa e çmuar është aktualisht në bordin e OSIRIS-REx, një sondë hapësinore amerikane e nisur në vitin 2016 në Bennu, e cila rrotullohet rreth Diellit në një distancë mesatare prej rreth 168 milionë kilometra.

Shkencëtarët do të ndajnë pjesët e shkëmbit për studim, ndërsa pjesën tjetër do ta ruajnë me kujdes për brezat e ardhshëm që do të jenë të pajisur me teknologji më të përparuar.

“Ne nuk presim që të ketë asgjë të gjallë, përkundrejt blloqeve ndërtuese të jetës. Kjo është me të vërtetë ajo që na motivoi të  kemi vëmendje në këtë lloj asteroidi, për të kuptuar se cilët ishin pararendësit që mund të kenë nxitur jetën në sistemin tonë diellor dhe në Tokë”, deklaroi Nicole Lunning- pjesë e ekipit OSIRIS-Rex.

Sapo anija e kthimit të arrijë në vendin e posaçëm në Teksas, do të nisë ekzaminimi  me kujdes  i mostrave të steroidit nga ekipi i NASA-s.

“Ato nuk janë ekspozuar ndaj atmosferës sonë. Për miliarda vite nuk janë ekspozuar në të vërtetë ndaj asgjëje, përveçse hapësirës”, tha Eve Berger pjesë e ekipit.

Sipas ekipit të NASA-s studimi i mostrave Bennu mund të shtojë njohuritë për elementët që sollën jetë në Tokë.

Top Channel