Qindra qytetarë europianë vijojnë të mashtrohen nga thirrje telefonike nga Shqipëria duke humbur mijëra euro.
Operacioni i radhës u shtri në Tiranë pas informacioneve të marra nga pala italiane.
Top Channel mëson se autoritetet italiane pas kallzimeve të disa qytetarëve italianë kanë bashkëpunuar me SPAK i cili për disa muaj ka hetuar dhe mëngjesin e kësaj të mërkure ka urdhëruar arrestin e personave përgjegjës.
Forcat e Drejtorisë së Tiranës së bashku me forcat operacionale mëngjesin e kësaj të mërkure u ushtrua kontroll në disa banesa dhe u ndaluan 7 persona si dhe u shoqëruan të tjerë për verifikim.
Muajt e fundit me dhjetëra Call Center të ngritura në qytete të ndryshme të Shqipërisë janë vënë lupën e autoriteteve shqiptare dhe të huaja pasi kryenin thirrje mashtruese ndaj qytetarëve europianë. Duket se Shqipëria është kthyer në parajsën e këtyre mashtruesve financiarë, të cilët janë sofistikuar në nivelin e grupit të organizuar kriminal që gjenerojnë miliona euro dhe më pas i pastrojnë ato.
Vetëm nga njësia C në bashkëpunim me autoritetet e huaja gjatë vitit 2022 janë zhvilluar 5 operacione kundër mashtrimit kompjuterik nëpërmjet Call Center. Dëmi ekonomik i shkaktuar nga këto mashtrime arrin vlerën rreth 90 milion euro.
Këto subjekte që në fasadë shfaqen si Call Center punësojnë kryesisht të rinj studentë duke u thënë fillimisht se do të punësohen si operatorë për të kryer telefonata marketing por më pas i vënë në funksion të skemës së madhe të mashtrimit me aktivitet në bursa.
Kryesisht persona të huaj që shpesh mbeten të pa identifikuar dhe jashtë çdo përgjegjësie penale kontrollojnë këto kompani që merren me monedhat virtual kryesisht Forex.
Top Channel