Bislimi: Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri pa u hequr sanksionet nga BE-ja

24/07/2023 16:53

Zënvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një takim me gazetarë në Prishtinë ka thënë se Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri të vendit, pa u hequr masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian.

Bislimi tha që është në pritje të njoftimit të BE-së për heqjen e sanksioneve, pas pajtueshmërisë së arritur mes Kosovës dhe BE-së në Bratisllavë, dhe terheqjes së 25% të forcave policore nga ndërtesat komunale në 4 komunat veriore.

Edhe pse më herët, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se organizimin e zgjedhjeve e lejon rregullimi ligjor i Kosovës dhe se diçka e tillë mund të bëhet përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e qytetarëve që janë në listën votuese, të cilët mund të iniciojnë procesin e zgjedhjeve të reja, Bislimi tha se nuk është i sigurt që ekziston një bazë e përshtatshme ligjore për shpalljen e tyre.

“Është problem i brendshëm i Kosovës për cilin nuk ka dakordim se a mjafton udhëzim adminsitrativ, apo duhet ligj”, tha Bislimi, i cili njëkohësisht është edhe kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë.

Dorëheqja eventuale e kryetarëve do të çonte komunat në zgjedhje të parakohshme, mirëpo sipas Bislimit, Qeveria, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje nuk do të kërkojë një gjë të tillë nga kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit, që janë nga kjo parti.

Kryetarët e dy komunave tjera, Zveçan e Zubin Potok, janë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Qeveria e Kosovës është pajtuar më 10 korrik që të bëjë një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat veriore, pas verës. Sipas marrëveshjes, Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve.

Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të paraqitura nga blloku evropian, Brukseli në fund të qershorit nisi të zbatonte disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

Burimet diplomatike nga BE-ja i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se heqja e masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian i ka vendosur Kosovës do të varet nga zbatimi i obligimeve që ka marrë Prishtina dhe hapat e tjerë që priten nga autoritetet në Kosovë për vazhdimin e përpjekjeve për të ulur tensionet në veri.

Sipas këtyre burimeve, këto hapa që po ndërmerr Kosova “janë hapa në drejtim të duhur”, por në BE presin që të shohin edhe hapa të tjerë.

“Masat ndaj Kosovës nuk ishin vendosur aq lehtë, ato janë të kthyeshme dhe nuk do të zgjasin asnjë ditë më shumë se sa duhet. Por, për tërheqjen e tyre duhet dëshmi se Kosova po i ndërmerr të gjitha hapat që janë kërkuar nga ajo dhe për shkak të së cilave edhe ishin vendosur këto masa”, tha një burim në BE për Radion Evropa e Lirë.

Masat që po zbaton BE-ja ndaj Kosovës përfshijnë: pezullimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave dypalëshe, përveç atyre që përqendrohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Masat tjera përfshijnë edhe ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit) si dhe propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.

Situata në veri të Kosovës është përkeqësuar pasi serbët lokalë në komunat në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë, me asistimin e Policisë së Kosovës, në ndërtesat komunale.

Krytarët i kanë fituar mandatet në zgjedhjet e mbajtura në prill të këtij viti, të cilat i kanë bojkotuar serbët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA