Imazhe të papublikuara me parë të Shqipërisë dhe shteteve të tjera të Ballkanit në fillimet e shekullit të 20-të u shfaqën në një ekspozitë në muzeun kombëtar të fotografisë “Marubi”.

Dy vëllezërit nga qyteti i Manastirit, në Maqedoninë e Veriut, Janaki dhe Milton Manaki fotografuan dhe xhiruan disa prej momenteve më të rëndësishme të atyre viteve.

Koleksioni ka mijëra foto dhe përzgjedhja e imazheve më të bukura ka qenë puna më e vështirë dhe ka marrë shumë kohë.

“Nuk ishte një punë e lehtë sepse kemi kaluar në duar me mijëra fotografi me tematika të ndryshme dhe ishte e vështirë për të bërë përzgjedhjen. Ne duam ta vazhdojmë këtë bashkëpunim me Shqipërinë dhe tashmë të kemi një ekspozitë tjetër por këtë radhë në qytetin tonë në Manastir”, tha Goce Stojanovski, drejtor i arkivit në Manastir.

“Ne kemi shumë fotografi nga jeta e njerëzve të thjeshtë por që në atë kohë mbartnin shumë vlera dhe i kemi zbardhur në këtë ekspozitë e cila tregon se si vëllezërit Manaki ndiqnin asokohe ritualet e këtyre njerëzve të thjeshtë duke nisur nga martesat, funeralet, mbrëmjet muzikore dhe gjithçka tjetër dhe kjo e bën shumë të rëndësishëm koleksionin e vëllezërve Manaki”, tha Dimitar Gjorgievsi, specialist i arkivit në Manastir.

Kjo ekspozitë në muzeun “Marubi” i kushton një vëmendje të veçantë popullatave lëvizëse, përafërsive etnografike dhe ritualeve të ngjashme të popujve të Ballkanit, të cilët i gjejmë të pasqyruar në rrugëtimet e Manakëve në rajon të cilët njihen si xhiruesit e parë të filmit në Ballkan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA