Dhjetra qytete në të gjithë Evropën Jugore janë përfshirë nga valët e të nxehtit. Autoritetet paralajmërojnë për temperatura ekstreme që do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim.
Sipas statistikave vitin e kaluar nga fundi i majit deri në shtator temperaturat e larta shkaktuan vdekjen e rreth 62 mijë europianëve. Numri më i lartë u regjistrua në Itali, me mbi 18 mijë humbje jete, pasuar nga Spanja, Greqia dhe Gjermania.
Më në rrezik të moshuarit
Nxehtësia ekstreme mund të shkaktojë përkeqësim të sëmundjeve kardiovaskulare ose atyre të frymëmarrjes. Kush qëndron për një kohë të gjatë në diell, rrezikon të digjet. Dhe kush qëndron për një kohë të gjatë në temperatura të larta, rrezikon hipertermi, një gjendje e ngjashme me ethet.
Po ashtu lëkura dhe indet e trurit ngacmohen nga nxehtësia e madhe dhe mund të shkaktojnë të ashtuquajturin meningjit aseptik, një infeksion truri që nuk shkaktohet nga ndonjë bakterie. Kjo goditje nga dielli është goditje e izoluar në kokë nga i nxehti.
Sipas studiuesve më të prekurit janë të moshuarit, sidomos ata mbi 65 vjeç.
Çfarë parashikohet për këtë verë?
Ekspertët thonë se është e lartë gjasa që moti të bëhet akoma më i nxehtë. Dhe kjo do të thotë potencialisht edhe më vdekjeprurës.
Deri tani, kjo verë ka thyer rekordet: me qershorin më të nxehtë dhe javën më të nxehtë të të regjistruar ndonjëherë në botë në fillim të korrikut.
Ndryshimet klimatike globale po shkaktojnë rritje të temperaturave në mbarë botën. Por në Evropë, temperaturat janë rritur dy herë më shpejt se mesatarja globale.
Masa për adaptimin ndaj nxehtësisë
Ekspertët thonë se qeveritë duhet të ndërmarrin menjëherë masa për parandalimin dhe adaptimin ndaj nxehtësisë, për të mbrojtur ata që janë në rrezik.
Kjo përfshin, për shembull, përmirësimin e njoftimeve rreth valëve të të nxehtit dhe vënien në dispozicion të mjediseve publike me ajër të kondicionuar, gjë që do të ndihmonte për të parandaluar deri në 100 mijë vdekje të parakohshme të lidhura me nxehtësinë. /DW
Top Channel