A hani mëngjes pas orës 9:00? Jeni 59% më shumë të rrezikuar nga diabeti i tipit 2

21/07/2023 10:46

Ata që konsumojnë ushqimin para orës 8 të mëngjesit, janë më të fituarit, sipas një studimi nga Instituti i Shëndetit Publik të Barcelonës (ISGlobal) të publikuar në Revistën Ndërkombëtare të Epidemiologjisë.

Por ky lajm nuk është i këndshëm për ata që e lënë mëngjesin për më vonë.

Ekipi hulumtues, në bashkëpunim me shkencëtarët nga Instituti Kombëtar i Shëndetit dhe Kërkimeve Mjekësore të Francës (INSERM), hetuan lidhjen midis shpeshtësisë së vakteve, kohës dhe incidencës së diabetit të tipit 2 në 103,312 të rritur (79% gra) nga studimi i grupit francez NutriNet-Santé.

Pjesëmarrësit plotësuan të dhënat dietike të ushqimit dhe pijeve të konsumuara gjatë një periudhe 24-orëshe në tre ditë jo të njëpasnjëshme, si dhe kohën e vaktit gjatë ditës. Studiuesit vlerësuan mesataren e të dhënave për dy vitet e para të ndjekjes dhe më pas vlerësuan shëndetin e secilit person gjatë shtatë viteve të ardhshme apo më shumë.

Në total, 963 raste të reja të diabetit të tipit 2 u regjistruan gjatë studimit, me rrezik dukshëm më të lartë (59%) për ata që hanë rregullisht mëngjes pas orës 9 të mëngjesit.

“Ne e dimë se koha e vaktit luan një rol kyç në rregullimin e ritmeve cirkadiane dhe kontrollin e glukozës dhe lipideve, por pak studime kanë eksploruar se si lidhet me diabetin e tipit 2,” komentoi Anna Palomar-Cros, studiuese e ISGlobal dhe autorja kryesore e studimit.

“Biologjikisht, ka kuptim, pasi anashkalimi i mëngjesit dihet se ndikon në kontrollin e glukozës dhe lipideve, si dhe në nivelet e insulinës. Kjo është në përputhje me dy meta-analiza që arritën në përfundimin se anashkalimi i mëngjesit rrit rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2”, shtoi ajo.

Po për pjesën tjetër të vakteve?

Studimi gjithashtu tregoi se ata që hanin darkë pas orës 22:00, kishin rrezik të shtuar të diabetit, ndërsa vaktet më të shpeshta gjatë ditës, rreth 5 herë, kishin incidencë më të ulët të sëmundjes. Sa i përket agjërimit të zgjatur, u zbulua se ishte i dobishëm vetëm nëse përfshinte ngrënien e mëngjesit para orës 8 të mëngjesit, si dhe një vakt herët në mbrëmje.

“Gjetjet tona sugjerojnë që vakti i parë para orës 8 të mëngjesit dhe i fundit para orës 19.00, mund të kontribuojë në uljen e incidencës së diabetit të tipit 2”, komentoi profesori grek me famë ndërkombëtare, Manolis Kogevinas, drejtor shkencor në ISGlobal dhe bashkëautor i studimit.

I njëjti ekip hulumtues i ISGlobal më parë siguroi prova të forta që konsumi i darkës herët, kishte një rrezik më të ulët të kancerit dhe prostatës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA