Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq zhvilluan të mërkurën takime me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, por nuk pati takim mes tyre.
Sipas Bislimit pala e Kosovës ka qenë e interesuar në një takim mes tre zyrtarëve, por vendimi për takime të ndarë është marrë nga Lajçak.
Kryenegociatori i Kosovës ka bërë të ditur se me Lajçakun ka diskutuar për katër tema: plani i sekuencimit të Marrëveshjes Bazë, termat e referencës për monitorimin e Marrëveshjes Bazë, termat e referencës për zbatimin e Deklaratës për personat e pagjetur, dhe për Marrëveshjen për energjinë.
Bislimi ka theksuar se pala kosovare ishte e brengosur me planin e sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes Bazike, ndërsa shtoi se draftet e Lajçakut në mënyrë të njëanshme u kushtojnë më shumë vëmendje kërkesave të Serbisë.
I pyetur nëse arritja e pajtueshmërisë më 10 korrik në Bratislavë mes Kosovës dhe BE-së për shtensionim të situatës do të rezultojë me heqjen e masave ndëshkuese të bllokut evropian ndaj Prishtinës, Bislimi ka thënë se është i habitur me mosveprimin e kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell.
I dërguari i BE-së shkroi në Twitter se me të dërguarit e Kosovës e Serbisë ka diskutuar një listë të gjatë të çështjeve të dialogut duke filluar me zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe de-përshkallëzimin në veri.
“Diskutimet do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme”, ka shkruar ai.
Top Channel