Në muajt e verës vihet re trendi për rritjen e numrit të aksidenteve rrugore, që ndodhin edhe për shkak të ngarkesës së automjeteve në rrugë.
Lëvizjeve të shumta drejt bregdetit iu shtohen edhe emigrantët dhe turistët që verën e kalojnë në vendin tonë. Shifrat e INSTAT tregojnë një rritje të aksidenteve për muajin qershor me 3.1%.
“Nëse qytetarët ose përdoruesit e rrugës nuk marrin informacion atëherë do ngelin në trafik dhe duke ngelur në trafik një pjesë e tyre duke qenë të padisiplinuar fillojnë e kthehen në agresivë dhe bëjnë parakalime të gabuara dhe fillojnë e përfshihen në aksidente rrugore”, tha eksperti rrugor Artur Sulçe.
Aksidentet rrugore në 82% të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit ndërsa numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga të rinjtë e moshave nga 25-34 vjeç. Edhe në këtë grup moshë aksidentet janë rritur krahasuar me vitin e kaluar.
E premtja rezulton si dita që ndodhin edhe më shumë aksidente. Kjo dhe prej ngarkesës së lartë që ka në këtë ditë ku qytetarët nisin të largohen për fundjavë. Eksperti Sulçe përmend edhe disa prej rrugëve më problematike gjatë verës.
“Është rruga interubane kryesore Tirane-Durrës, është rruga që të çon në Lezhë ku ka trafik shumë të rënduar nga Tirana deri në kufi me Malin e Zi. Janë dhe rrugët interburbane kryesore për shkak të mbipopullimit tani nga qytetarët që jetojnë jashtë dhe vijnë për pushime në vendin tonë”, shtoi ai.
Eksperti apelon për kujdes të shtuar për të gjithë qytetarët në lidhje me përdorimin e automjeteve gjatë sezonit veror, për të qenë sa më të sigurt.
“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe nëse dikush bën një parakalim të gabuar qytetari tjetër duhet ta lehtësojë manovrën e tij në mënyrë që mos të përfshihet në aksidente. Jeta jetohet vetëm një herë dhe është shumë e shkurtër”.
Top Channel