Veteranët e UÇK po diskriminohen! I kërkojnë presidentes Osmani të mos dekretojë ligjin e Kurtit

18/07/2023 16:43

Përfaqësuesit e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë paralajmëruar protesta në ditët në vijim, për të kundërshtuar miratimin e Ligjit për pagën minimale.

Ligji është miratuar në Kuvendin e Kosovës, në lexim të dytë, më 13 korrik.

Ligji parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht.

Mirëpo veteranët e UÇK-së janë të pakënaqur për mospërfshirjen e tyre në këto ndryshime.

Deri më 2017, pensioni i veteranëve nuk ka mundur të jetë më pak se paga minimale në Kosovë, përkatësisht 170 euro. Kjo, njëherësh, vazhdon të jetë shuma që marrin ata.

Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së), ka thënë pas një takimi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, se përgjatë bisedës i kanë shprehur pakënaqësitë e tyre pse institucionet nuk janë konsultuar me veteranët për ndryshimet ligjore.

“Ne kemi thënë që do të dalim qoftë me pesë, qoftë me 10, qoftë, me 20 persona për t’i penguar seancat”, ka thënë Klinaku, duke shtuar se ata nuk kanë asnjë kontakt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe zyrën e tij.

Xhavit Jashari, që përfaqëson familjet e dëshmorëve, ka paralajmëruar se ndryshimet ligjore do të sfidohen edhe përmes rrugëve ligjore, andaj i ka bërë thirrje presidentes që të mos e nënshkruajë ligjin.

Përmes një komunikate për media, Osmani ka thënë se ligjin do ta trajtojë me ekspertë ligjorë, sapo ta ketë në zyrë, dhe më pas “do të veprohet në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese e ligjore”.

Takimi i tyre me presidenten vjen disa ditë pas një proteste që e kanë organizuar veteranët në qendër të Prishtinës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të shtunën se mbështet dhënien e sa më shumë përfitimeve për veteranët e luftës së fundit në Kosovë, por që përfitimet, sipas tij, nuk janë pagë.

“Paga është për punë, ndërkaq përfitimet janë mirënjohje e shoqërisë, e cila i jepet veteranit të luftës për luftën çlirimtare, fitimtare, e cila është në burim të shtetësisë, pavarësisë e lirisë sonë”.

Janë edhe disa shkallë deri sa ky projektligj të hyjë në fuqi dhe të shndërrohet në ligj.

Deri më tani, projektligji ka kaluar disa faza të rëndësishme. Ai është miratuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës më 14 qershor 2022.

Ndërsa, më 13 korrik 2023, ai është miratuar edhe në lexim të dytë në Kuvend.

Me këtë, ky ligj konsiderohet i miratuar nga Kuvendi dhe pasi nënshkruhet nga kryetari i Kuvendit, ai duhet t’i dërgohet Presidentes së vendit për nënshkrim.

Kushtetuta e Kosovës i jep të drejtë Presidentes që me arsyetim ta kundërshtojë dhe kthejë ligjin në Kuvend.

Megjithatë, për ta përmbysur veton e Presidentes nevojiten që së paku 61 deputetë të votojnë për ligjin e miratuar, i cili është kthyer në Kuvend dhe ligji konsiderohet i shpallur.

Ligji hyn në fuqi përfundimisht 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës.

Edhe pas hyrjes në fuqi, secili ligj i publikuar mund të sfidohet në Gjykatën Kushtetuese dhe nëse kjo gjykatë parasheh se është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, mund ta shpallë atë të pavlefshëm./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA