Në një përpjekje të re të Perëndimit për të rikthye palët në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, janë ftuar të mërkurën në Bruksel për një takim ku do të diskutohet zbatimi i marrëveshjes së 27 shkurtit.
Ky takim pason dakordësinë e arritur në 10 korrik ndërmjet Bashkimit Europian dhe Kosovës për shtensionimin e situatës në komunat veriore të banuara me shumicë serbe. Qeveria e Kosovës e ka reduktuar tashmë me 25 për qind praninë e forcave policore në ndërtesat komunale dhe është pajtuar të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.
Nga kabineti i Kurtit thonë se tani i takon Serbisë të shprehë qëndrimet e saj për këtë çështje. “Sidoqoftë, ne besojmë se Beogradi duhet ta ndalë qasjen e tij destruktive dhe fushatën e frikësimit të serbëve të Kosovës”, pohojnë burime në qeveri. Beogradi zyrtar ende nuk e ka thënë qartë nëse kjo ujdi për shtensionim është e pranueshme për të, ndërsa presidenti serb Aleksandër Vuçiç është shprehur se bëhet fjalë për një “mashtrim” të ndërkombëtarëve.
Që prej shpërthimit të ri të tensioneve në muajin maj, diplomacia perëndimore ka kërkuar uljen e tyre përmes pezullimit të operacioneve policore në veri, zhvendosjes së kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakusht të serbëve të Kosovës. Takimi i nesërm mund të shënojë një periudhë të re zhvillimesh për të ulur tensionet që u përshkuan me veprime të dhunshme dhe nxitën shqetësime për ripërtëritje konfliktesh në zonën e trazuar të Kosovës.
Top Channel