Europa, sot vala e re e të nxehtit: Në SHBA fillojnë zjarret!

18/07/2023 11:33

Europa është kontinenti që po nxehet më shpejt në të gjithë globin, sipas ekspertëve.

Dita e sotme sjell një valë të re nxehtësie ndërkohë që zjarret kanë nisur të përfshijnë pjesë të saj duke shtyrë autoritetet të urdhërojnë evakuimin e 1.200 fëmijëve pranë një resorti bregdetar grek. Kulmi i përvëlimit pritet ne  ishujt italianë të Sicilisë dhe Sardenjës, të cilët llogaritet të preken nga një temperaturë maksimale prej 48 gradësh celsius, sipas parashikimeve të Agjencisë Europiane e Hapësirës.

Rekordi i mëparshëm i temperaturës në Evropë u regjistrua në vitin 2021 në Sicili, që arriti në 48.8 gradë celsius, sipas agjencisë së motit të OKB-së. Në Spanjë, zhiva e termometrit shënoi 44.7 gradë celsius në qytetin jugor të Jaenit. Ndërsa në Qipro ku temperaturat nuk janë ulur më nga niveli i 40 gradëve, një 90-vjeçar vdiq nga i nxehti e tre të moshuar të tjerë u shtruan në spital.

Autoritetet shëndetësore, nga Amerika e Veriut, Evropa e Azia, kanë lëshuar paralajmërime, duke u kërkuar njerëzve të qëndrojnë të hidratuar dhe të kërkojnë strehim nga dielli përvëlues. Kina raportoi një rekord të ri për mesin e korrikut në veriperëndim të vendit, ku temperaturat arritën në 52.2 gradë celsius në fshatin Sanbao të rajonit Xinjiang, duke thyer nivelin e mëparshëm prej 50.6 gradësh celsius, të vendosur gjashtë vjet më parë.

Temperaturat e larta po mundojnë edhe shtetet perëndimore dhe jugore të SHBA-së. Në Luginën e Vdekjes në Kaliforni, një vend që shpesh njihet si një nga më të nxehtit në Tokë, temperaturat u rritën në nivele gati rekord prej 52 gradësh Celsius ndërsa zjarre të shumta shpërthyen në zonat rurale në lindje të Los Anxhelosit. Zjarri më i madh, i quajtur “Zjarri i Lepurit”, shkrumboi rreth 8.000 hektarë dhe u raportua se vetëm 35 për qind e tij është arritur të vihet nën kontroll. Në Kanadanë fqinje, autoritetet raportuan 882 vatra zjarri aktive të hënën, me 579 prej tyre të kategorizuara si jashtë kontrollit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA