Biden fton kryeministrin Netanyahu për vizitë në SHBA

18/07/2023 10:07

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby tha të hënën se presidenti Joe Biden ka ftuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për një takim mes tyre në Shtetet e Bashkuara këtë vjeshtë, megjithëse ai shprehu shqetësimin për planet e debatueshme të kryeministrit Netanyahut për të ndryshuar sistemin gjyqësor të vendit të tij.

Ftesa u bë gjatë një bisede telefonike midis Presidentit Biden dhe kryeministrit Netanyahu, një ditë përpara një vizite në Uashington nga presidenti izraelit Isaac Herzog.

Zoti Kirby tha se Presidenti Biden përsëri të hënën përmendi shqetësimin e tij gjatë bisedës me kryeministrin Netanyahut për planin e ndryshimeve në gjyqësor, siç bëri kur folën për herë të fundit në fillim të këtij viti dhe kërkoi “konsensusin më të gjerë të mundshëm” mbi projekt ligjin e propozuar nga Netanyahu dhe koalicioni i tij i vijës së ashpër.

Zoti Kirby tha se Presidenti Biden shprehu gjithashtu “angazhimin e tij të hekurt dhe të palëkundur” për sigurinë e Izraelit dhe se të dy udhëheqësit diskutuan mbi programin bërthamor të Iranit dhe çështjet e sigurisë rajonale. Zoti Biden gjithashtu “shprehu shqetësimin” e tij për zgjerimin e vazhdueshëm të vendbanimeve të Izraelit në Bregun Perëndimor dhe i kërkoi Izraelit të ndërmarrë hapa për të ruajtur qëndrueshmërinë e një zgjidhjeje me dy shtete të konfliktit me palestinezët.

Benjamin Netanyahu u rikthye në pushtet më shumë se gjashtë muaj më parë, por nuk mori një ftesë nga Presidenti Biden për të vizituar Uashingtonin deri të hënën. Kryeministrat izraelitë zakonisht marrin ftesë nga Shtëpia e Bardhë për të vizituar Shtetet e Bashkuara pak kohë pas marrjes së detyrës.

Përshkallëzimi i dhunës në Bregun Perëndimor, vendimet e qeverisë izraelite të krahut të djathtë për të autorizuar zgjerimin e vendbanimeve të kolonëve izraelitë dhe komentet nxitëse nga një anëtar i kabinetit të zotit Netanyahu me përgjegjësi mbi vendbanimet hebraike janë pritur me kritika nga zyrtarët amerikanë, duke përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin gjatë një vizite në Izrael në mars.

Kryeministri Netanyahu i tha Presidentit Biden se do të përpiqet të krijojë “konsensus të gjerë publik” mbi projekt ligjin në Izrael që do t’i hiqte gjykatës më të lartë shumë nga kompetencat e saj, thuhet në deklaratë. Projekt ligji ka nxitur protesta anti-qeveritare në Izrael për muaj të tërë.

Të dy udhëheqësit patën një bisedë “të gjatë dhe të ngrohtë”, thuhet në deklaratën izraelite, e fokusuar në frenimin e kërcënimeve nga Irani dhe përfaqësuesit e tij dhe forcimin e aleancës midis dy vendeve./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA