KFOR-i do të koordinohet me Policinë e Kosovës mbi mundësinë e reduktimit të mëtejshëm të pranisë policorë në objektet komunale në veri të Kosovës.
Por misioni paqeruajtës i NATO-s e bëri të qartë se largimi i policëve prej andej, sipas marrëveshjes së arritur së fundi, është përgjegjësi e institucioneve të Kosovës. Kryeministri Albin Kurti është shprehur se policia do t’i marrë vetë vendimet për këtë çështje.
Deri tani, Kosova e ka tkurrur me 25% praninë policore në këto zona në bazë të ujdisë së arritur mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimit dhe të dërguarit të Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak. Marrëveshja parashikon që Policia e Kosovës të bëjë rregullisht vlerësime të përbashkëta sigurie me EULEX-in dhe me KFOR-in sipas rastit, për të vlerësuar mundësinë e zvogëlimit të mëtejshëm të pranisë policore atje.
I pyetur nga Express nëse vendime të kësaj natyre koordinimi duhet t`i marrë vetëm policia, KFOR-i u përgjigj me shpjegimin se për këtë, përgjegjës janë vetëm institucionet e Kosovës, pavarësisht se njësitë e tij siç thotë, mbeten plotësisht të pajisura dhe të gatshme për ta përballuar çdo situate.
Deklarata e tij thekson se misioni po vazhdon ta zbatojë mandatin e saj të marrë nga OKB-ja “në mënyrë të paanshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”.
Top Channel