Ministri i Brendshëm Taulant Balla, gjatë takimit të zhvilluar këtë të hënë me Policinë e Shtetit, është shprehur se kërkesa e parë që bëri sa mori detyrën ishte arrestimi i djalit të ish-deputetit Rrahman Rraja, i përfshirë në dhunën ndaj dy banorëve të Krujë.
Balla u shpreh se miku dhe ish-kolegu Rrahman Rraja, mëngjesin e lënies së mandatit e kreu detyrën e tij morale (duke kërkuar arrestimit e të birit), por policia nuk e ka bërë ende detyrën e saj.
“Por policia nuk e ka bërë detyrën për të ndëshkuar ata një orë e më parë. Ajo skenë e shëmtuar ka një domethënie e më shumë. Flet për një situatë të toleruar më parë, pasi policia nuk dëgjoi banorët duke u sjellë si e fortë me të dobëtit dhe e e dobët me të fortët.
Kjo çështje është shumë më e thellë se kaq. Shkaqet e atij dështimi janë ende aty dhe në disa zona periferike të vendit. Syri i drejtorive të policisë ka qenë miop dhe duhet të hapet menjëherë.
Nuk do të ketë më feude apo bajraqe ku mbi ligjin dhe qytetarët janë të fortët”.
Dhe në fakt, ngjarja e rëndë, ku fisi Rraja dhunuan dy kushërinjtë Maja në Borizanë u bë shkaku i fundit për shkarkimin nga detyra e Ministrit të Brendshëm Bledi Çuçin. Kryeministri Edi Rama emëroi në këtë detyrë Taulant Ballën, që detyrën e nisi pikërisht me çështjen e Borizanës.
Ngjarja solli dhe shkrirjen e Komisariatit të Krujës. Sot, u firmosën ndryshimet për strukturat e Komisariatit të Policisë Krujë, konkretisht: lirimin nga detyra të Shefit të Komisariatit të Policisë Krujë Komisar Elton Shahini dhe emërimin në këtë detyrë të Komisar Kreshnik Alimadhi; lirimin nga detyra të Zëvendësshefit të Komisariatit/Shef për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, Nënkomisar Ajet Bega dhe emërimin në këtë detyrë të Nënkomisar Sadik Topuzi; lirimin nga detyra të Shefit të Seksionit në Seksionin e Patrullës së Përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Krujë nënkomisar Anri Nazaj dhe emërimin në këtë detyrë të Nënkomisar Dashamir Ilamaj si dhe transferimin e menjëhershëm të 26 punonjësve të Policisë të nivelit zbatues, pjesë të strukturave të njësisë operacionale, të strukturës së Policimit në Komunitet dhe të Patrullës së Përgjithshme.
Në 6 korrik, në një lokal në aksin Fushë Krujë-Thumanë, familjarët e Rrajës, goditën me sende të forta dhe kërcënuan me armë Bilbil Majën dhe Jashar Majën, të cilët kërkonin zbutje të minave që përdoeshin në gurore, pasi u ka dëmtuar banesat e tyre.
Top Channel