Qysh në fillim të korrikut të sivjetmë, rekordet për temperaturën më të lartë mesatare në botë u thyen tri herë brenda një jave. Rekordi i ri u vendos më 7 korrik, kur bota ishte për 0.31 gradë Celsius më e nxehtë sesa në gusht të vitit 2016, kur ishte vendosur rekordi i mëparshëm.

Ndër shkaqet që kanë çuar në këto temperatura të larta është sasia e madhe e dyoksidit të karbonit në atmosferë. Në këtë sasi kontribuojnë edhe Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor – më së shumti Serbia.

Sipas agjencisë për klimën në Administratën Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sasia e rritur e dyoksidit të karbonit në atmosferë shkakton “ngritjen e temperaturës globale”.

“Duke shtuar më shumë dyoksid të karbonit në atmosferë, njerëzit janë bërë katalizatorë të efektit serrë”, thuhet në ueb-faqen e kësaj agjencie.

Ndërkaq, Agjencia Kombëtare Aeronautike dhe Hapësinore (NASA) e SHBA-së pohon se efekti serrë është “proces që ndodh kur gazrat në atmosferën e Tokës e mbajnë brenda nxehtësinë e Diellit”, dhe shkaktohet nga “djegia e lëndëve djegëse fosile, si thëngjilli dhe nafta”.

Ndonëse vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë ndotësit më të mëdhenj të ambientit me dyoksid të karbonit, edhe ato kanë ndikuar në përkeqësimin e situatës ndër vite.

Trendi i emetimit të dyoksidit të karbonit në Ballkanin Perëndimor

Herë Kosova e herë Maqedonia e Veriut janë radhitur si vendi i tretë që emeton më së shumti dyoksid të karbonit në Ballkanin Perëndimor. Së fundi, pas fillimit të COVID-19, Maqedonia e Veriut e ka kaluar Kosovën.

Serbia është vendi që emeton ndjeshëm më shumë dyoksid të karbonit nga të gjitha vendet e rajonit brenda një viti, e ndjekur nga Bosnje e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut.

Emetimi vjetor i dyoksidit të karbonit në Ballkanin Perëndimor

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia emeton më së shumti dyoksid të karbonit në vit – më shumë se Bosnje dhe Hercegovina, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut së bashku.

Sipas të dhënave të Administratës Ndërkombëtare për Tregti (ITA) të SHBA-së, rreth 70 për qind e energjisë në Serbi prodhohet nga thëngjilli. Problem thelbësor, sipas Kornizës së Konventës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC), mbetet sistemi i ngrohjes në Serbi.

UNFCCC-ja parashikon që përditësimi i sistemit të ngrohjes të Serbisë do të “eliminonte rreth 252.270 tonë dyoksid karboni, të emetuar gjatë tridhjetë vjetëve”. Por, rreth 31 milionë tonët e dyoksidit të karbonit që emetohen nga Serbia nuk janë shumë, në krahasim me ndotësit më të mëdhenj në botë: Kina, SHBA-ja, India dhe Rusia.

Emetimi i dyoksidit të karbonit në botë

Kina është vendi që ndot ambientin me dyoksid të karbonit më së shumti – më shumë se SHBA-ja, Rusia, India, Japonia dhe Irani së bashku.

Kush ka qenë historikisht ndotësi më i madh i ambientit me dyoksid të karbonit?

SHBA-ja kryeson listën si vendi që ka emetuar më së shumti dyoksid të karbonit, rreth 24 për qind të gjithsej dyoksidit të karbonit të emetuar, që nga viti 1750. Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia radhitet më së larti në listë.

Këto shifra paraqesin vetëm emetimin e dyoksidit të karbonit, por jo të të gjithë gazrave serrë, si metani, oksidi nitrik, hidrofluorokarbonet, e të tjera. Pamja, po ashtu, ndryshon ndjeshëm, kur merret parasysh madhësia e popullsive të vendeve të ndryshme.

Edhe pse Serbia mbetet sërish vendi që liron më së shumti dyoksid të karbonit në atmosferë, nga vendet e rajonit, dallimi mes saj dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor është dukshëm më i vogël.

Emetimi vjetor i dyoksidit të karbonit për kokë banori në Ballkanin Perëndimor

Serbia kryeson listën e vendeve të Ballkanit Perëndimor me më së shumti dyoksid të karbonit të emetuar për kokë banori, ndjekur nga Bosnje dhe Hercegovina dhe Kosova.

Trendi i emetimit të dyoksidit të karbonit për kokë banori në Ballkanin Perëndimor

Që nga viti 2009, Kosova mbetet vendi i tretë me më së shumti emetime të dyoksidit të karbonit për kokë banori në Ballkanin Perëndimor. Fillimi i pandemisë COVID-19 në vitin 2020 shkaktoi rënie të këtyre emetimeve në të gjitha vendet e rajonit, përveç në Maqedoninë e Veriut.

Përderisa në rajon radhitet e treta, Kosova është e 92-ta, nga gjithsej 197 shtete të botës, në listën e vendeve që emetojnë më së shumti dyoksid të karbonit për kokë banori.

Emetimi i dyoksidit të karbonit për kokë banori në botë

Katari është emetuesi më i madh i dyoksidit të karbonit (CO2) për kokë banori në botë, ndjekur nga Bahreini dhe Kuvajti. Nga gjithsejt 197 shtetet e listuara, Kosova radhitet e 92-ta.

Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), lëndët djegëse, si thëngjilli, nafta dhe gazi, janë kontribuuesit më të mëdhenj në ndryshimet klimatike, duke qenë “përgjegjëse për mbi 75 për qind të emetimit global të gazrave serrë, dhe pothuajse 90 për qind të emetimit total të dyoksidit të karbonit”.

Në Kosovë, rreth 95 për qind e energjisë elektrike prodhohet nga thëngjilli. Kjo varësi mbetet problematike, pasi që Kosova synon të jetë e dekarbonizuar deri në vitin 2050, ndërsa mëton që deri më 2031 ta rrisë kapacitetin e energjisë së prodhuar nga burimet e ripërtërishme në 35 për qind./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA