Fermerët e Korçës kanë nisur korrjen e grurit por mbeten të shqetësuar për tregun. Aktualisht çmimi i shitjes është 25 lekë për kilogram çka sipas tyre nuk justifikon as kostot ndërsa nga ana tjetër tremben se edhe konkurrenca mund të jetë një faktor penalizues për ta.
Pas luftës në Ukrainë dhe subvencioneve që u dhanë për kultivuesit e grurit, vetëm në bashkinë e Maliqit janë 600 ha më shumë të kultivuar me grurë, por fermerët e kësaj zone nuk janë të gatshëm ta shesin kaq lirë prodhimin dhe thonë se do të presin rritjen e çmimit.
“Nuk ke çe do, nuk marrin njëherë. Nja dy tre fabrika që janë aty, seç janë ato, nuk marrin jo. Disa herë që kemi pyetur na kanë thënë që nuk marrin. Me këtë çmim duhet ta porositësh thotë fabrika dhe ne nuk nxjerrim dot as shpenzimet tona pa le”- tha një fermer.
“Vjet ishte me 45 lekë, sivjet me 25 lekë. Për të na leverdisur nuk na leverdis sepse nuk na dalin për shpenzimet, por nuk kemi çfarë të bëjmë. Vetëm i lutemi shtetit të na gjej tregun sepse sivjet është bërë shumë keq, ndikoj shumë edhe lufta e Ukrainës”- u shpreh një tjetër fermere.
“Po të eci tregu javlen sepse edhe bukën time e siguroj edhe gjysmën tjetër që më mbetet mund ta shes”- tha një fermeri.
Vitin e kaluar sipas të dhenave në qarkun e Korces u mbollën 13430 ha me grurë i cili u shit mesatarisht me 40 leke për kg. Pavarësisht këtij çmimi që fermeret e konsiderojnë të arsyeshëm pati shumë prej tyre që nuk arritën të shesin si pasoje e mungeses së tregut shqetesim që duket se fermeret do ta kene edhe kete vit.
Top Channel