Një 41-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë, pasi i vodhi një shtetase në shëtitoren e Himarës, kuletën me para dhe bizhuteritë e floririt.

Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se grabitësi është shtetasi me inicialet F. M., banues në Fier.

41-vjeçari, me precedent të mëparshëm për dhunë në familje dhe kalim të paligjshëm të kufirit, u kap menjëherë, ndërsa policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale sendet e vjedhura me vlerë totale rreth 60 000 lekë.

I arrestuari është gjithashtu autor i dyshuar i një tjetër vjedhjeje të kryer më 23 qershor, në një banesë në Himarë. Nga veprimet hetimore rezultoi se 41-vjeçari dyshohet se grabiti 3 celularë në banesën e një shtetase. Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel