Vijon jehona mediatike për Shqipërinë! Pas britanikëve, amerikanët dhe skocezët drejt “Maldiveve të Europës”

15/07/2023 18:23

Shqipëria një nga perlat e fshehura të Europës, po shfaqet si një destinacion unik dhe emocionues për turistët, të cilët preferojnë të vizitojnë vende mahnitëse.

Për miliona vizitorë rivierat shqiptare, ose siç njihen ndryshe Maldivet e Evropës, çmimet janë shumë ekonomike krahasuar me atë që ofrohet dhe shërbehet nga vendet ku ata preferojnë të kalojnë pushimet.

I famshëm për ujërat kristal të pastër, fshatrat piktoreske bregdetare dhe vendet me një histori mahnitëse, rajoni po përgatitet për rritje rekord të turizmit këtë sezon veror për shkak të rritjes së investimit.

Në skenën e paspandemisë, Shqipëria është bërë e njohur si një nga vendet me diell më të modës në Evropë për shkak të natyrës mahnitëse dhe pasurisë kulturore.

“Travel off Path” shkruan se miliona amerikanë kanë nisur të mbajnë në listën e vendeve për të pushuar edhe trojet shqiptare, të cilat deri para pak kohësh nuk kishin këtë jehonë që mbizotëron tani.

Një nga vendet më të sugjeruara për pushime mbetet jugu, kryesisht Ksamili, i cili ka kthyer të gjithë fokusin tek vetja për mënyrën se si ofron paketat turistike për pushime të paharrueshme, mbi të gjitha me çmime të arsyeshme për të huajt.

Nëse zgjedh të vizitosh jugun nuk të ofrohet vetëm plazh, por edhe një sërë monumentesh historike, tek të cilat mund të hysh falas ose me një tarifë simbolike, këtu përfshihet Butrinti dhe Kalaja e Lëkurësit.

Përpos jehonës që Shqipëria ka bërë tek amerikanët dhe britanikët, pas nuk mbeten as skocezët, të cilët vizitojnë atraksionet më të veçanta.

“Herald Scotland” referoi artikullin, duke u mbështetur në disa vende, që nuk duhen humbur, që nga jugu deri në veri të Shqipërisë.

Këtu përfshihet Plazhi i Dhërmiut, me ujëra të pastër kristal dhe bukuri natyrore të paprekur, për të cilin referatet janë shumë të larta duke u konsideruar nga turistët si një nga më të mirët në vend.

Dikur një bazë ushtarake, ishulli i Sazanit është tani një destinacion intrigues, duke ofruar një përzierje unike të bukurisë natyrore dhe historisë së Luftës së Ftohtë. Ishulli ka një vijë bregdetare kryesisht shkëmbore, por gjithashtu krenohet me plazhin e mrekullueshëm Admiral dhe disa resorte luksoze.

Nga ana tjetër sugjerohet të udhëtohet me target në Liqenin e Komanit dhe Fierzës, për të kaluar momente të paharrueshme, që shpesh krahasohen me fjordet norvegjeze.

Qyteti i një mbi një dritareve, Berati, ka tërhequr vazhdimisht turistë skocezë, për shkak të arkitekturës otomane dhe historisë së larmishme. Krahas qytetit historik vendoset edhe Gjirokastra i njohur si “Qyteti i Gurit”, rrugët me kalldrëm dhe kalanë mbresëlënëse të Gjirokastrës, e cila ofron pamje panoramike mbi qytet.

Parku Kombëtar mahnitës i Alpeve të Shqipërisë ofron një arratisje emocionuese për entuziastët e natyrës, me shtigjet e saj sfiduese, ujëvarat befasuese dhe fshatrat tradicionale malore ofrojnë një përvojë autentike të malësisë.

Së fundmi një rëndësi të veçantë po i jepet Piramidës së Tiranës, të sapo inaguruar nën arkitekturën e veçantë, tashmë është shndërruar në një qendër IT rinore për Teknologjitë Kreative. Kryeqyteti nuk ka vetëm Piramidën, por pas nuk mbetet as jeta e natës në zonën e Bllokut. Për personat që adhurojnë jetën e natës, në kryeqytet destinacioni i duhur mbetet zona e Bllokut.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA