Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla u shpreh se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç po e humb betejën me kryeministrin Albin Kurti.
Ai ka potencuar se Vuçiç po i kthehet luftës hibride që siç potencoi ai, përmes mekanizmave që ka në kontroll të tentojë të nxisë trazira në Kosovë.
Ai si nxitje të trazirës e konsideron edhe protestën e sotme të veteranëve, e cila do të mbahet kundër qeverisë.
“Ai po e humb ndikimin në veriun e Kosovës sepse i janë arrestuar kriminelët kryesorë, i janë mbyllur rrugët e kontrabandës dhe i janë shkatërruar laboratorët e drogës e fermat e kriptovalutave. Atij po i dobësohen krahët sepse dora e djathtë e tij dhe njeriu kryesor që mban lidhjen me Moskën, Aleksandër Vulin, para ca ditësh iu sanksionua nga SHBA. I gjendur në një situatë të tillë, ku pozicioni i tij karshi Kosovës po dobësohet dita ditës, me sa duket Vuçiqi ka vendosur që t’i kthehet luftës hibride, që përmes dezinformatave, shpifjeve, krijimit të frikës e mosdurimit, të provojë të nxisë pakënaqësi e trazira edhe në Kosovë. Kjo nuk ka qëllim forcimin e pozicionit negociues të Vuçiqit, por dobësimin e pozicionit të Kurtit”, shkroi Sveçla në Fcaebook.
Ai u shpreh i çuditur që protesta e veteranëve të qëlloi në të njëjtën ditë kur, siç shkroi ai, në Beograd po organizohet protestë kundër Vuçiçit.
“Biseda të zhvilluara në Kuvend, të cilat Lista Serbe i kishte incizuar dhe incizimet ia kishte dorëzuar Vuçiçit, nga dora e Vuçiçit gjetën rrugën e tyre për t’u publikuar në një media në Kosovë. Dhe tani si rezultat i keqinterpretimeve të qëllimta e patëm një skenë dhune të provokuar në parlamentin e Kosovës, dhe si të mos mjaftonin ato skena që portretizuan Kosovën si vend jostabil në të gjitha mediat ndërkombëtare, sot ka edhe një protestë të thirrur para qeverisë. Është e çuditshme se si qëlloi që protesta të jetë e organizuar të shtunën, kohën e njejtë me protestën në Beograd që atje po organizohet kundër Vuçiçit. Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dijnë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë”, shkroi ministri tutje në Facbook.
Sipas tij, mbetet të shihet sot “nëse qytetarët e Republikës së Kosovës do të ruajnë dinjitetin personal dhe pozicionin e shtetit, apo do të bien në këtë grackë të luftës hibride të Serbisë”.
Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mbajnë sot nga ora 18:00 protestë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Në njoftim është potencuar se do të protestohet kundër skandaleve qeveritare.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar mbrëmë (13 korrik) Projektligjin për pagën minimale, në të cilin nuk janë përfshirë veteranët.
Top Channel