Policia bllokoi varkat në lumin e Shalës, banorët: Nuk kemi si i dërgojmë ushqime familjeve

15/07/2023 15:03

Operatorët turistikë dhe banorët e fshatrave në liqenin e Komanit janë ngritur sot në protestë duke bllokuar tunelin e hidrocentralit.

Ata kundërshtojnë aksionin e policisë që solli bllokimin e varkave me të cilat transportonin turistët. Banorët thonë se turizmi është bllokuar nga ky aksion dhe në bujtinat e tyre nuk ka më as ushqime.

Disa banorë të Komanit kanë folur për bllokimin e varkave të lundrimit. Ata thonë se varkat nuk janë vetëm për turistet por janë edhe i vetmi mjet lëvizës dhe komunikues me Shkodrën pasi fshatrat nuk kanë rrugë makine.

“Pasuria më e madhe që na kanë lënë është ky ujë. Të na lënë një rrugëzgjidhje që rinia të mos ikë në emigrim. Kanë ndenjur me shpresën se mos hanë ndonjë kafshatë buke këtu, të paktën mos na nisin në emigrim. Nuk na kanë lënë asnjë pasuri këtu, tokat që kemi pasur, na i ka zënë liqeni, këtë pasuri kemi dhe këtë nuk po na i lënë ta vazhdojmë. Të na lejnë të bëjmë punën tonë, ne po i përgjigjemi shtetit me taksat”, ka thënë një banor.

Një banor tjetër shprehet se kur doli nga puna e gjeti të bllokua varkën e tij, dhe nuk ka mundësi të shkojë në shtëpi, sepse varkat janë i vetmi mjet lëvizës që ia mundëson këtë gjë. Madje ai tregon dhe ushqimet që kishte blerë për t’ja çuar familjarëve, por që nuk mundi dot, për shkak të bllokimit të varkës.

“Zona duke filluar nga Komani deri në Valbonë nuk ka rrugëdalje tjetër, vetëm me këto varka. Që në ’80-n kur është bërë liqeni i Komanit, këto varka i kemi përdorur për të sëmurë, për njerëz kur ka pasoja vdekje, kur ka pasur raste gëzimi, hidhërimi”, ka thënë një banor tjetër.

Një ditë pas aksionit të policisë që pezulloi disa varka artizanale që nuk përmbushnin kriteret e sigurisë dhe nuk ishin të pajisura me dokumentacionin përkatës, operatorët turistikë të liqenit të Komanit dhe lumit të Shalës zhvilluan një takim me kryebashkiakun e Vau Dejës, Kristian Shkreli.

Ata i  kërkuan zgjidhje dhe të mos pengohen në punën e tyre në mes të sezonit turistik. Sipas tyre, varkat plotësojnë kushtet e sigurisë dhe me bllokimin e tyre po dëmtojnë ekonominë e shumë familjeve. Nga ana tjetër, Shkreli tha se nuk ka qenë në dijeni të aksionit të policisë dhe problematikën do e dërgojë te kryeministri Edi Rama.

Pak ditë më parë policia e Shkodrës bllokoi 13 varka artizanale dhe 1 traget me arsyetimin për mos plotësim të kushteve të sigurisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA