Lëvizja Vetëvendosje dhe njohës të integrimeve evropiane presin që Bashkimi Evropian t’i largojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, pas arritjes së marrëveshjes për depërshkallëzimin e situatës në veri.
Mirëpo, në Bashkimin Evropian kërkojnë nga Kosova që të vazhdojë të ndërmarrë hapa të tjerë pozitivë për marrëveshjen e arritur, derisa nuk pranuan të komentojnë mundësinë e largimit të masave ndaj Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje dhe njohës të integrimeve evropiane presin që Bashkimi Evropian t’i largojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, pas arritjes së marrëveshjes për depërshkallëzimin e situatës në veri. Mirëpo, në Bashkimin Evropian kërkojnë nga Kosova që të vazhdojë të ndërmarrë hapa të tjerë pozitivë për marrëveshjen e arritur, derisa nuk pranuan të komentojnë mundësinë e largimit të masave ndaj Kosovës.
Deputetja e LVV-së, njëherësh kryetare e Komisionit parlamentar për punë të jashtme, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni thotë për KosovaPress se pret që ditëve në vijim BE-ja t’i heqë masat ndaj Kosovës, në mënyrë që të rikthehen fondet dhe grandet e BE-së ndaj vendit.
Ajo thekson se Kosova është e gatshme t’i përmbahet katër pikave për depërshkallëzim të situatës në veri.
“Kosova do të mund t’i rikthehet fondeve dhe grandeve dhe do të mund të jetë prapë fituese e këtyre mjeteve që mund të zhvillojë tutje shoqërinë tonë. Jam shumë e bindur që ditëve në vijim, meqenëse edhe një herë tjetër kemi treguar gatishmërinë tonë që jemi gjithmonë të përkushtuar të shtyjmë përpara dialogun. Po ashtu, jemi të vendosur që të shkojmë drejt përfundimit të këtij procesi të dialogu. Bashkimi Evropian tashmë e ka kuptuar këtë gjë dhe ditëve në vijim do t’i heq masat që padrejtësisht i janë vendosur Kosovës…Ne jemi të gatshëm t’i përmbahemi pikave që janë paraqitur në takimin e fundit dhe besojmë se kurdo që këto pika të përmbushën, Bashkimi Evropian do t’i heq masat ndaj Kosovës”, thotë ajo.
Largimin e masave të BE-së ndaj Kosovës e kërkon edhe njohësi i integrimeve evropiane, Seb Bytyçi. Ai thotë për KosovaPress se të njëjtat duhet të largohen menjëherë nga ana e BE-së, në mënyrë që palët të jenë të barabarta në diskutimet për zbatimin e marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi.
“Masat duhet të largohen menjëherë dhe me shpejtësi, pasi edhe janë vendosur me një shpejtësi mjaft të madhe. Tani duhet të largohen menjëherë me arritjen e një marrëveshje dhe gjithashtu duhet të bëhet e qartë që Kosova pret që mos të ketë presion të njëanshëm, por të jetë pjesë e marrëveshjes së një pajtueshmëri të re për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Mos të ketë thirrje vetëm për Kosovën për të zbatuar atë marrëveshje”, deklaron Seb Bytyçi.
Në anën tjetër, në Bashkimin Evropian thonë për KosovaPress se në këtë fazë nuk kanë shumë për të shtuar, përveç inkurajimit të Kosovës që të ndërmarrë hapa të tjerë pozitiv për deeskalimin e situatës në veri të Kosovës.
“Nuk kemi asgjë për të shtuar në këtë fazë. Ne mirëpresim përkushtimin e Kosovës ndaj marrëveshjes së arritur dhe presim që Kosova të ndërmarrë hapa të mëtejshëm pozitivë dhe të vazhdojë të përparojë në këtë drejtim”, thotë një zëdhënës i Bashkimit Evropian për Kosovën.
Ndër masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës janë pezullimi përkohësisht i punës së organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe fondeve IPA.
Në kuadër të dakordimit të 10 korrikut në Bratislavë të Sllovakisë, Kosova është pajtuar për ulje të prezencës së Policisë së Kosovës në objektet e katër komunave dhe pajtueshmërinë për organizim të zgjedhjeve të parakohshme pas stinës së verës.
Top Channel