Të akuzuar si pjesëtarë të një organizate kriminale për trafik narkotikësh në Itali, arrestohen dy persona në Lezhë

13/07/2023 18:25

Dy persona të shpallur në kërkim nga drejtësia italiane, pasi akuzohen si pjesëtarë të një organizate kriminale për trafikimin ndërkombëtar të kokainës, janë arrestuar nga autoritetet shqiptare në Lezhë.

Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe me Interpol Romën, kanë arrestuar provizorisht me qëllim ekstradimin drejt Italisë, Tonin Kameri (alias Aleks Ionescu), 44 vjeç, dhe Pavlin Bregaj (alias Pavlin Tuku), 32 vjeç.

Ndaj Kamerit dhe Bregajt, Gjykata e Brescia-s ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, pasi akuzohen për veprën penale, pjesëtarë të një organizate kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike.

Po ashtu, është shoqëruar në Polici Dritan Marku (alias Dritan Kameri), kushëriri i shtetasit Tonin Kameri. 48 vjeçari akuzohet se lejoi me vetëdije të afërmin t’i përdorë identitetin, me qëllim shmangien e autoriteteve të policisë së Italisë.

Nga veprimet hetimore të kryera në Itali, dyshohet se Tonin Kameri dhe Pavlin Bregaj, së bashku me 7 shtetas të tjerë të arrestuar tashmë nga policia e Italisë, janë pjesëtarë të një organizate kriminale për trafikimin e kokainës, organizatë me veprimtari në Itali. Gjatë zhvillimit të këtij operacioni, Policia e Italisë ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale, rreth 7 kg lëndë narkotike kokainë.

Interpol Tirana dhe Interpol Roma vijojnë bashkëpunimin, me qëllim ekstradimin e këtyre shtetasve drejt Italisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA