Partia Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë ka reaguar pas përleshjeve në Kuvendin e Kosovës, ku Kryeministri Albin Kurti u sulmua nga deputetët e PDK-së teksa po fliste për situatën në veri.
LVV thotë se sot në Kuvendin e Kosovës dora e zgjatur e atyre që nuk e duan shtetësinë, demokracinë dhe ligjin e Kosovës, u përpoq të bëhet grusht.
Sipas LVV, disa deputetë të PDK sulmuan me grushte, si një bandë rrugaçësh, kryeministrin dhe ministrat e Kosovës.
“Ky sulm po bëhet ndaj qeverisë së parë të Kosovës e cila nuk e ka asnjë ministër apo zv.ministër të kontrolluar nga Beogradi. Ky sulm po bëhet pikërisht në një moment të rëndësishëm të ballafaqimit diplomatik e jo vetëm të Kosovës me Serbinë”, shkruan LVV.
Sipas tyre, ky sulm erdhi si veprim i koordinuar “mes degëve të ndryshme të së njëjtës bandë”.
“Disa prej tyre i thonë vetes deputetë, disa i thonë vetes gazetarë, e disa protestues. Por Kosova do të ecë përpara në konsolidimin e shtetësisë së saj, pavarësisht sulmeve të tilla”, vijon komunikata.
Lëvizja Vetëvendosje thotë se mbetet e përkushtuar dhe e angazhuar për drejtësi dhe kriminelët që kanë dëmtuar shoqërinë e shtetin tonë për t’u pasuruar padrejtësisht, nuk do të amnistohen.
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë sulmuar fizikisht kryeministrin e Albin Kurti dhe pjesëtarë tjerë të qeverisë. Kurti ishte duke folur për situatën në veri të Kosovës, kur fjalimi i tij u ndërpre nga deputetët e opozitës që brohorisnin “rrenc”. Fillimisht, në drejtim të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi u hodh ujë nga deputeti Mërgim Lushtaku, pasi Bislimi largoi dhe grisi nga foltorja një foto-montazhë të kryeministrit me hundë të zgjatur që opozita ia kishte vendosur aty.
Top Channel