Deputetët e partive opozitare të Kosovës janë larguar nga seanca plenare, pasi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se përfundoi seanca e jashtëzakonshme dhe organi ligjvënës iu kthye seancës së nisur paraditen e së enjtes.

Seancë u ndërpre pas përleshjeve fizike mes deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtarëve të qeverisë.

Seanca e jashtëzakonshme u mbajt me kërkesë të 41 deputetëve të LVV. Ligjvënësit kanë miratuar në lexim të dytë Projektligjin për çmimet e produkteve medicinale.

Eliza Hoxha nga subjekti opozitar Partia Demokratike e Kosovës, tha se pas largimit nga salla plenare e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, seanca mund të vazhdojë.

“Mendoj që pasi Bislimi lëshoi sallën dhe u plotësua kushti ynë, mendoj se tani mund të vazhdojë seanca”, tha ajo.

Në sallën plenare, kur deputetë të PDK-së dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës u grumbulluan afër foltores, u panë edhe pjesëtarë të mbrojtjes së afërt të kryeministrit Albin Kurti.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca më herët paralajmëroi deputetët që po bllokojnë foltoren se mund t’i përjashtojë nga seanca.

“Deputetëve të cilët nuk po e lirojnë foltoren ua jap vërejtjen me paralajmërim për largim nga seanca”, tha Konjufca.

Më herët, deputetë të partive opozitare kanë kërkuar që seanca të ndërpritet menjëherë, duke argumentuar se “nuk ka kushte” që ajo të vazhdojë.

Seanca e jashtëzakonshme vjen pasi vazhdimi i seancës së rregullt u ndërpre.

Opozita ka vendosur pranë foltores pankartë ku shkruhet”Zdravo”, “Përshëndetje” në gjuhën serbe me portretin e shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Mimoza Kusari-Lila, dhe atë të kryeminstrit Albin Kurti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA