Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka dënuar përleshjet fizike midis deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës me anëtarët e Qeverisë gjatë seancës plenare më 13 korrik.
Sipas tij, në çdo demokraci ka dallime të forta, por “dallimet duhet të zgjidhen përmes diskursit” e jo dhunës.
“Është për të ardhur keq ajo çfarë ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës. Do të dëshiroja të mos e thosha këtë: dhuna kurrë nuk është mjet i pranueshëm për të shprehur pakënaqësi. Në çdo demokraci shpesh ka dallime të forta. Por, dallimet duhen të zgjidhen përmes diskursit – një qëllim themelor i legjislaturës së çdo demokracie”, shkroi Hovenier në Twitter.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte duke mbajtur fjalim para deputetëve kur deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, u afrua dhe hodhi ujë në drejtim të Kurtit dhe zëvendësit të tij, Besnik Bislimi.
Kjo u pasua me përleshje fizike mes deputetëve të PDK-së dhe anëtarëve të Qeverisë Kurti.
Lushtaku tha se aksioni i tij ishte politik, teksa paralajmëroi padi ndaj Bislimit, ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati.
Kurti ishte duke folur për situatën në veri të Kosovës, kur fjalimi i tij u ndërpre nga deputetët e opozitës që brohorisnin “rrenc”.
Ditëve të fundit, sikurse edhe në seancën e 13 korrikut, opozita ka qenë kritikuese ndaj pushtetit pasi në mediat në Kosovë kanë dalë përgjime të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila. Ajo ka pranuar që ka zhvilluar një bisedë me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq.
Milan Radoiçiq është nënkryetar i Listës Serbe, i cili kërkohet nga autoritetet e Kosovës dhe është gjithashtu në listën e zezë të SHBA-së për “përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar”.
Ai kërkohet nga Kosova nën dyshimet se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor, të njohur si “Brezovica”.
Radoiçiq përmendet në një aktakuzë edhe si “udhëheqës i grupit kriminal”, i cili planifikoi vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Megjithatë, urdhërarresti për Milan Radoiçiqin u tërhoq në mars të vitit 2021 pa asnjë shpjegim./ REL
Top Channel