Kryeministri, Albin Kurti deklaroi sot se Policia e Kosovës nuk do të tërhiqet nga veriu, por vetëm 25 për qind e tyre do të zhvendosen nga objektet komunale të katër komunave në veri.
Duke arsyetuar marrëveshjen për depërshkallëzimin e situatës në veri para deputetëve të Kosovës, Kurti tha se Policia e Kosovës s’ka qenë kurrë më e pranishme sesa aktualisht në veri.
“Ne natyrisht asnjëherë nuk heqim dorë nga sundimi i ligjit dhe zbatimi i ligjit nga luftimi i krimit dhe korrupsionit e kontrabandës. Por, në të njëjtën kohë edhe kemi shfaqur ndjeshmërinë tonë për rëndësinë e paqes së qëndrueshme, stabilitetit afatgjatë të sigurisë për të gjithë, e cila nënkupton të kemi ndjeshmëri që në këto dy javët e fundit s’ka pasur as protesta të dhunshme, incidente dhe gjithashtu as sulme në veri të Kosovës. Rrjedhimisht s’kemi tërheqje të Policisë së Kosovës, të gjithë policët që janë në veri të Kosovës janë në veri të Kosovës, por kemi 25 për qind zhvendosje të Policisë nga ndërtesat komunale, por gjithnjë brenda veriut të Kosovës. Nuk dalin policia nga ndërtesat që të vijnë në jug”, tha ai.
Para incidentit në Kuvend, ku u përfshinë në rrahje deputetët e PDK-së dhe pushtetit, Kurti tha se tani janë shtatë baza policore në veri, rreth kufirit me Serbinë.
“Pesëqind e katër dhjetë e shtatë policë serbë kanë dhënë dorëheqje për një ditë me 5 nëntor, sot që po flasim janë mbi 800 policë të Kosovës atje, jo vetëm shqiptarë. Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit kurrë s’ka qenë më i fuqishëm se tash. Kemi shpallur terroriste të ashtuquajturën si organizata Mbrojtjen Civile dhe të ashtuquajturën Brigada Veriore. Tre mijë e dyqinë njerëz janë arrestuar në këto dy vitet e para të qeverisjes sonë, gati prej tyre 10 përqind zyrtarë publik, po ashtu 16 rrugë ilegale në veri janë mbyllur. Shtatë baza policore janë në veri rrotull kufirit me Serbinë, asnjë bazë nuk ka qenë më herët. Katër ndërtesa të komunave në veri janë të Republikës, katër stacione në veri janë të Republikës. Kjo nuk ka qenë më herët dhe tash është”, tha ai.
Kurti foli edhe Milan Radojçiçin, i cili përmendet në përgjimet e publikuara në mes shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila dhe ish-deputetit të Listës Serbe, Slavko Simiç. Ai tha se Radojçi më herët qëndronte në Mitrovicë dhe Prishtinë, ndërsa tani është në anën tjetër të kufirit.
“Fletëarresti për kryekriminelin MilanRadojçiq është hequr më 19 shkurt 2021, pesë ditë pas fitores sonë. Ne i kemi fituar zgjedhjet me 438 mijë vota me datën 14 shkurt 2021, pesë ditë më vonë ish qeveria para se të bëhemi ne qeveri është hequr fletëarresti ndaj këtij kryekrimineli. Kur kanë qenë qeveritë e mëhershme, ky kryeminiel ka qenë në Mitrovicë dhe Prishtinë. Tash kontributi jonë është se ai është në hotelin në Kopaunik në anën tjetër të kufirit”, shtoi Kurti.
Top Channel