“Arratiset Arben Ahmetaj”/ Berisha akuza qeverisë për aferën e inceneratorëve: Kërkesa e SPAK u fsheh tri ditë nga Parlamenti

12/07/2023 17:06

Ish-kryeministri Sali Berisha denoncoi sot arratisjen nga Shqipëria të ish zv.kryeministrit Arben Ahmetaj vetëm pak orë para se SPAK të kërkonte arrestimin e tij për aferën e inceneratorëve.

Përmes një deklarate për shtyp, Berisha e cilësoi rastin “Ahmetaj” një ngjarje të paprecedentë në historinë e Shqipërisë që ndodh për herë të parë. Duke e konsideruar Ahmetajn zv. kryeministrin e një organizate kriminale të drejtuar nga Rama, Berisha tha se kërkesa e Prokurorisë u fsheh tre ditë nga Parlamenti.

Sipas kreut të Rithemelimit, qeveria ka vepruar si organizatë kriminale, duke lejuar anëtarët e saj t’i hapnin rrugë mega-aferës 720 milionë euroshe së inceneratorëve dhe shkelmuar strategjinë e trajtimit të mbetjeve, të financuar me miliona euro nga BE.

Berisha u shpreh se hetimi dy vjeçar me inceneratorët u dëshmoi shqiptarëve se SPAK është vetëm një aneks i organizatës kriminale pasi asnjë nga të hetuarit nuk është hetuar realisht për aferën e inceneratorëve.

“Arratiset Arben Ahmetaj, zëvendëskryeministri i organizatës kriminale qeveritare të Edi Ramës.

Për herë të parë në historinë e vendit, super-ministri apo zëvendëskryeministri, de facto organizatës kriminale të drejtuar nga Rama, arratiset.

Sipas dokumenteve zyrtare, Arben Ahmetaj u arratis disa orë përpara se prokuroria e partisë do të kërkonte në parlament lejen për arrestimin e tij. Mesa duket prokuroria, ose kontrollorët e saj, njoftuan Ahmetajn para se të njoftonin parlamentin për vendimin e arrestimit të tij.

Shtoj këtu se për të mos e emocionuar gjatë arratisë, kërkesa e Prokurorisë Speciale ishte fshehur për tre ditë nga parlamenti i vendit.

Dje Arben Ahmetaj tregoi se cila është shkalla e ulët morale, standardi më i ulët i anëtarëve të organizatës kriminale të Edi Ramës, zëvendësit, ministrave të tij, të cilët pasi pasurojnë veten dhe rrethin e tyre duke vjedhur paratë e taksave dhe pasuritë publike, sapo të thirren për të dhënë shpjegime, arratisen pa u hyrë ferra në këmbë.

Arratisja e Arben Ahmetajt dëshmon se për anëtarët e organizatës kriminale të Edi Ramës, përgjegjësia zëvendësohet me vjedhjen, dhe në fund të karrierës pasi kanë mbushur valixhet me paratë e vjedhura, arratisen apo dërgohen në ekzil për të tretur dhe gëzuar paratë e tyre.

Arratisja e Ahmetajt apo dërgimi i tij në azil nga Edi Rama shënon kulmin e degradimit të organizatës kriminale, por edhe të poshtërimit të shoqërisë shqiptare.

Investigimet e medieve dhe gazetarëve kanë provuar se në mega-aferën e djegësave, qeveria me në krye Edi Ramën, ka vepruar si një organizatë e mirëfilltë kriminale.

Kjo faktohet katërcipërisht nga:

-Qeveria ka vepruar si organizatë kriminale pasi anëtarët e saj me vetëdije të plotë, për t’i hapur rrugën mega-aferën të djegësave kanë shkelmuar strategjinë e trajtimit të mbetjeve, financuar me miliona euro nga BE.

-Qeveria ka vepruar si një organizatë kriminale sepse me vendime zyrtare në kundërshtim me ligjet e vendit dhe MAS me BE, kanë përjashtuar garën e hapur në prokurimn publik të dy prej djegësave dhe dhënien me koncesion të të tretit, në një aferë që arrin shifrat e 720 milionë eurove.

-Qeveria ka vepruar si organizatë kriminale sepse ka përzgjedhur në kundërshtim me ligjin për të tre objektet, Elbasan, Fier, Tiranë, të nëjjtën kompani pa asnjë eksperiencë në fushën e mbetjeve siç kërkon ligji.

-Edi Rama dhe Engjëll Agaçi si krerët e kësaj organizate kriminale, kanë firmosur me negociata të mbyllura kontratën me këtë kompani, pasi drejtori i Agjencisë së Prokurimeve Publike, ka kundërshtuar firmosjen e kontratës me negociata të mbyllura sepse nuk lejohet nga ligji.

-Edi Rama dhe Engjëll Agaçi, në kundërshtim me çdo ligj të vendit, kanë firmosur për dhënien e bonusit prej 8 pikësh për kompaninë që nuk ekzistonte askund.

-Krerët e kësaj organizate kriminale, dhe në veçanti Edi Rama dhe Arben Ahmetaj, në kundërshtim me ligjin morën paratë e fondit të emergjencës së Këshillit të Ministrave dhe i disbursuan për blerjen e inceneratorëve në Ministrinë e Mjedisit, e cila nuk dispononte asnjë qindarkë në buxhetin e saj për këtë blerje. Rikujtoj se këto fonde janë për zonat e prekura nga fatkeqësitë natyrore. Kështu që banorët e Shkodrës dhe zonave të tjerë nuk morën asnjë fond sepse ato i gllabëroi organizata kriminale.

-Për t’i thënë tenderin kompanisë Rama-Veliaj, ky i fundit në dhunim flagrant të ligjit, ka falsifikuar vendime të Këshillit Bashkiak dhe të Këshillit të Qarkut, duke firmosur vetë pa i mbledhur ato.

-Afera e djegësave është aferë e qeverisë, e cila prej 7 vitesh, Erion Veliaj dhe Edi Rama paguajnë 29 euro për ton, nga 11 euro në përputhje me kontratën. Në këtë mënyrë ata fusin 18 euro për ton në xhepat e tyre.

-Qeveria shqiptare është një organizatë kriminale pasi kanë firmosur një kontratë që bie në kundërshtim flagrant me Kodin Civil apo çdo ligj dhe interes të qytetarëve. Kontrata përfaqëson vetëm interesat e organizatës kriminale. Kjo kontratë është unike në botë, pasi në nenin e pamundësisë së heqjes dorë nga kontrata, ajo sanksionon: asnjë dispozitë nuk bën të mundur tërheqjen e palëve nga kontrata. Dështimi e secilës palë për përmbushjen e detyrimeve të kontratës nuk do interpretohet asnëjherë si tërheqje nga kontrata apo si heqje dorë nga të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga ajo.

-Qeveria e Edi Ramës është një organizatë kriminale sepse në kundërshtim me ligjin e koncesioneve kanë miratuar pa asnjë vendim zyrtar, për të fshehur gjurmët e vjedhjes së tyre, kalimin e sipërmarrjes së tyre, nga një dorë në një dorë tjetër, aq sa sot kreu i SKAP-it të partisë, deklaron se nuk e di cili është pronari i kësaj kompanie”- tha Berisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA