Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, nga përgjimet e publikuara në media, del që ka komunikuar pesë herë me Milan Radojiçiç, person ky i kërkuar nga autoritetet e Kosovës.
“Seriozisht po të them, jo vetëm ty por edhe kryeministrit do t’i thyhej koka dhe të gjithëve me rend nëse do të thosha këtë. Ke folur pesë herë me Milanin”, i thotë ish-deputeti, Sllavko Simiç, shefes së grupit të LVV-së, që shpreh shqetësimin për reagimin që do pasonte nëse vetë Simiç do publikonte atë që di.
Për këto, Simiç e siguron Kusari-Lilën, se do veprojnë ashtu si është marrë vesh ajo me Milan Radojiçiç, i cili është edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mes tjerash, Simiç i ka lexuar një mesazh nga Radojiçiç, shefes së grupit parlamentar të LVV-së, ku konfirmohet se Lista Serbe ka votuar për hir të grupit parlamentar që drejton, Mimoza Kusari Lila. Po ashtu, del që ajo të ketë diskutuar me Radojiçiq edhe për energjinë elektrike në veri të Kosovës
Biseda e tyre është e koncentruar në diskutimin mbi bashkëpunimin parlamentar për të kaluar ligjet që kanë nevojë për për 2/3 e votave të deputetëve, mes të cilëve edhe ligji për pagën minimale, nga ku u përjashtuan veteranët e luftës së UÇK-së.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier nuk ka komentuar bisedën e Kusari – Lilës me Milan Radojiçiç, vetëm ka theksuar faktin se ai është në listën e zezë të SHBA-së.
“Nuk mund të flas shumë për këtë, liderët politikë në Parlament kanë komunikim me të gjitha palët. Por Radojiçiq ju e dini se është në listë të zezë të ShBA-së”, u shpreh ambasadori amerikan DEK Jeff Hovenier.
Në Kosovë kërkohet dorëheqja e Mimoza Kusari-Lilës nga posti i saj publik e hetim nga ana e prokurorisë.
Mimoza Kusari-Lila e ka pranuar që ka biseduar me Milan Radojiçiç, duke thënë që ka komunikuar me të përmes Sllavko Simiç për tre-katër minuta.
Top Channel