Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është dorëzuar përballë presionit ndërkombëtar, duke rënë dakord me parakushtet e Bashkimit Evropian për tërheqjen e policisë nga Veriu dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në 4 komunat.
Dakordësia u arrit gjatë një takimi joformal në Bratisllavë midis zv. kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Fokusi kryesor i takimit tё djeshёm ishte krijimi i parakushteve pёr pёrforcim të vëmendjes deri nё zbatimin e plotё dhe tё pakushtëzuar tё marrёveshjes sё 27 shkurtit dhe aneksit tё Ohrit tё datёs 18 mars.
Përmes një komunikimi për shtyp, Qeveria e Kosovës deklaron se prania policore në dhe rreth ndërtesave komunale në veri do të zvogëlohet menjëherë nё masёn e 25%. Dhe më pas do të vijoi tërheqja graduale në varësi të vlerësimit gjendjes së sigurisë nga Policia e Kosovës, së bashku me misionin e BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, dhe misionin paqeruajtës në NATO-s në Kosovë, KFOR.
“Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm nё masёn e 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale. Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale”, thuhet nё komunikatёn e Qeverisё.
Kosova dhe BE-ja janë pajtuar gjithashtu për mbajtjen “e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në Veri të vendit pas stinës së verës” dhe se institucionet në Prishtinë shprehin përkushtimin për sigurimin e bazës së nevojshme ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve. Nё emёr tё normalizimit tё marrёdhёnieve liderёt e Kosovёs dhe Serbisё do shkojnё nё Bruksel pёr t’u rakorduar rreth planit tё zbatimit tё marrёveshjes sё Ohrit.
“BE-ja do të ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel me synim të finalizimit të planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt normalizimit, pas të cilit do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes”- thuhet në komunikatën e ekzekutivit të Kosovës, duke theksuar se veprimi i ndërmarrë tregon gatishmёrinë e qeverisë Kurti pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs nё Veriun e vendit.
Veprimet e sipёrpёrmendura do tё finalizohen brenda njё periudhe dyjavore.
BE përmes përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, më 22 qershor paraqiti disa kërkesa për Kosovën dhe Serbinë, për t’iu dhënë fund tensioneve në Veri, të nisura pasi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut hynë me ndihmën e Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale në fund të majit.
Këto kërkesa nuk u mirëpritën nga krerët shtetërorë në Kosovë, të cilët megjithëse fillimisht u shprehën të gatshëm që të organizojnë zgjedhje të reja në komunat në Veri, vunë si kusht për përgatitjen e tyre mosbojkotimin.
Zgjedhjet e 23 prillit, nga të cilat dolën kryetarët e rinj shqiptarë në 4 komunat veriore, u bojkotuan masivisht nga partitë dhe popullata serbe në Veri të Kosovës.
Kosova ka kërkuar vazhdimisht që të nisë zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e raporteve me Serbinë, që u arrit në Bruksel më 27 shkurt. Palët, më 18 mars në Ohër arritën edhe aneksin për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Dokumenti kërkon nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri tani, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.
Top Channel