Pas dy javësh fazë përgatitore në Ohër, ku ka zhvilluar edhe disa ndeshje miqësore, skuadra nënkampione e vendit Tirana i është rikthyer stërvitjes përgatitore për ndeshjen e parë europiane që do të luaj në shtëpi përballë skuadrës gjeorgjane të Dinamo Batumit, e vlefshme për raundin e parë eliminatorë të kupës Conference League.
Bardheblutë kanë mundur të rigjejnë atmosferën pozitive dhe të jenë një ndër skuadrat më të përforcuara në letër sa i përket blerjeve të saj në këtë merkato të verës. Mes tyre janë edhe disa emra të njohur për ambientin bardheblut, si ish-kapiteni Erjon Hoxhallari i rikthyer pas një viti aktivizimi në Rumani dhe Albi Doka, i cili u largua 3 vite më parë nga kryeqytetasit drejt Kroacisë.
Tashmë e gjithë vëmendja është tek ndeshja europiane e së enjtes të cilën Tirana do të zhvillojë në shtëpi.
“Më e rëndësishmja në fund është që të kualifikohemi. Për mendimin tim ndeshja e parë është ajo që vlen shumë pasi po arritëm të marrim një rezultat pozitiv këtu atëherë do ta kemi komoditetin për të ruaatur rezultatin atje. Por gjithsesi ne do të futemi në të dyja ndeshjet për të dhënë maksimumin dhe për ti marrë maksimumin të dyjave”, tha futbollisti Erjon Hoxhallari.
Edhe më optimist është shprehur Albi Doka I cili rikthehet pas një periudhe me eksperiencë jashtë vendit por edhe me aktivizimin në kombëtare pavarësisht periudhës së fundit jo të mirë. Gjithsesi sa i përket përballjes me Dinamo Batumin mbrojtësi shprehet optimist.
“Kam dy javë që kam ardhur me ekipin, tani ka shumë lojtarë të rinj dhe duhet pak kohë për ekipin, ndërkohë që unë personalisht ndihem shumë mirë dhe mezi kam pritur që të vij këtu. Unë këtu e kam nisur si futbollist dhe këtu erdha përsëri pasi ndihem si në shtëpi. Ndeshja do të jetë shumë e fortë pasi e kemi analizuar mirë kundërshtarin, mendoj se është një kundërshtar i kalueshëm por do të jetë shumë ndeshje e fortë”, tha Albi Doka.
Ndeshja mes Tiranës dhe Dinam Batumit të Gjerogjisë do të luhet ditën e enjte më 13 korrik në stadiumin Air Albania, ndërkohë që një javë më pas më 20 korrik do të luhet ndeshja e kthimit në transfertë. Në rast kualifikimi bardheblutë do të kenë mundësinë të masin forcat me një prej skuadrave më të forta të kampionatit turk si Beshiktashi.
Top Channel