PDK-ja e kaloi në një tjetër fazë rezistencën në Kuvendin e Kosovës ndaj qeverisë, duke kërkuar veprime konkrete kundër ekzekutivit të Albin Kurtit.
Shefi i Grupit Parlamentar të partisë opozitare, Abelard Tahiri deklaroi nga foltorja e parlamentit se nuk do të votojnë asnjë projektligj, përfshirë këtu edhe marrëveshjet ndërkombëtare. “Kjo, bëhet me qëllimin e vetëm ta çojmë sa më shpejt vendin në zgjedhje dhe ta largojmë një qeveri të paaftë që ka krijuar krizë”, tha Tahiri.
Tahiri e cilësoi kuvendi si jofunksional. “I kemi dhënë mundësinë kryeministrit që ose të shpërndajë parlamentin, ose të japë dorëheqje dhe koha është vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, u shpreh ai.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila u shpreh se opozita po bojkoton pa arsye pasi nënkryetarët e PDK-së dhe LDK-së nuk morën pjesë në mbledhjen e Kryesisë së parlamentit, çka bëri që mbledhja të dështonte. Ajo nënvizoi se Kuvendi nuk do të shpërbëhet.
Thirrjet për zgjedhjet e reja parlamentare nxitën edhe disa replika të forta mes kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Top Channel