Një ditë pas tragjedisë së plazhit të Vilë Bashtovës ku humbën jetën 3 anëtarë të familjes Halilaj nga Tirana plazhi është mbyllur nga autoritetet ndërsa administratori i tij është arrestuar, pasi hetimet treguan se ai nuk kishte marra masat për garantimin e jetës dhe shëndetit të pushuesve në plazh.
Detyrimi ligjor përcakton se në çdo 80 m linear bregdet duhet të ketë një vrojtues plazhi.
“Jemi nga Hungaria. Erdhëm dje nga Mali i Zi. E mora vesh se humbën jetën 3 persona, po mendoj që krahas masave secili duhet të marrë përgjegjësitë e veta. Duhet respektuar natyra. Deti dhe oqeani janë natyrë e egër, duhet kujdes. Nuk po noton në pishinën e shtëpisë”, tha pushuesi.
“Sot janë vënë shenjat se nuk kanë qenë”, tha një pushues.
Edhe sot në Vilë Bashtovë deti është i trazuar, po subjektet private që kanë nën administrim këtë pjesë të Adriatikut kanë ngritur 2 flamuj, flamurin e verdhë dhe atë jeshil duke konfuzuar pushuesit nëse është e lejueshme apo ka rrezik futja në det në këtë ditë pushimi.
“Edhe jeshili dhe i verdhi, nuk e di të hysh apo të mos hysh”, tha një tjetër pushues.
Trajneri i notit, eksperti Jurgen Fici tregon se si mund të shmangen ngjarje të rënda në det dhe çfarë duhet bërë kur pushuesit përballen me rryma të forta detare.
“E mira është që të ecin në mënyrë horizontale me rrymën që të shpëtojnë. Duhet një profesionalizëm i lartë, di një rast në Itali para një viti, ku një boskier dhe notar po laheshin në liqen, boksieri nga forca e madhe kishte arritur të mbyste edhe notarin në liqen”, tha eksperti.
Sipas ekspertëve, prania e vrojtuesve të trajnuar në plazhe është e domosdoshme pasi ata dinë si të veprojnë për të shpëtuar të rrezikuarit nga mbytja dhe mbrojtur veten.
Top Channel